Ballina Bota Sipas BBC, ja pse militantët e Hamasit nuk janë terroristë

    Sipas BBC, ja pse militantët e Hamasit nuk janë terroristë

    51

    Nga John Simpson

    Ministrat e qeverisë, kolumnistët e gazetave, njerëzit e thjeshtë,të gjithë po pyesin pse BBC nuk thotë se personat e armatosur të Hamasit që kryen mizori të tmerrshme në Izraelin jugor janë terroristë.

    Përgjigja ka lidhje me parimet themeluese të BBC-së.

    Terrorizmi është një fjalë e rëndë, të cilën njerëzit e përdorin për një sjellje që ata nuk e miratojnë moralisht. Thjesht nuk është detyra e BBC-së t’u tregojë njerëzve se kë të mbështesin dhe kë të dënojnë – cilët janë djemtë e mirë dhe cilët janë djemtë e këqij.

    Ne theksojmë rregullisht se qeveria britanike dhe qeveritë e tjera e kanë dënuar Hamasin si një organizatë terroriste, por kjo është puna e tyre. Ne gjithashtu zhvillojmë intervista me të ftuar duke cituar të gjithë ata që e përshkruajnë Hamasin si organizatë terroriste.

    Pika kryesore është se ne nuk e themi atë me zërin tonë. Detyra jonë është t’i prezantojmë audiencës tonë faktet dhe t’i lëmë ata të vendosin vetë.

    Çdo person i arsyeshëm do të tmerrohej nga lloji i gjërave që kemi parë. Është krejtësisht e arsyeshme t’i quash “mizori” incidentet që kanë ndodhur.

    Askush nuk mund të mbrojë vrasjen e civilëve, veçanërisht fëmijët e madje edhe foshnja, as sulmet ndaj njerëzve të pafajshëm, paqedashës që po marrin pjesë në një festival muzikor.


    Gjatë 50 viteve që kam raportuar për ngjarjet në Lindjen e Mesme, kam parë vetë pasojat e sulmeve si ky në Izrael, dhe kam parë gjithashtu pasojat e sulmeve izraelite me bomba dhe artileri ndaj objektivave civilë në Gaza. Tmerri i këtyre ngjarjeve mbetet përgjithmonë në mendje.

    Por kjo nuk do të thotë se ne duhet të fillojmë të themi se organizata që i ka kryer këto krime është një organizatë terroriste, sepse kjo do të thotë se ne po e braktisnim detyrën tonë për të qëndruar objektiv.

    Dhe kështu ka qenë gjithmonë në BBC. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, transmetuesve të BBC-së iu tha shprehimisht të mos i quanin nazistët të këqij apo të ligj, edhe pse ne mund t’i quanim “armiq”.

    “Mbi të gjitha”, thuhej në një dokument të BBC për gjithë këtë, “nuk duhet të ketë vend për sharje”.

    Ishte e vështirë të mbahej ky parim kur IRA bombardonte Britaninë dhe vriste civilë të pafajshëm, por ne e bëmë. Kishte presion të madh nga qeveria e Margaret Thatcher në BBC, dhe ndaj gazetarëve individualë si unë për këtë, veçanërisht pas bombardimit në Brighton, ku ajo sapo i shpëtoi vdekjes dhe shumë njerëz të tjerë të pafajshëm u vranë dhe u plagosën.

    Por ne e mbajtëm linjën. Dhe ne ende e bëjmë, deri më sot.

    Ne nuk mbajmë anë. Ne nuk përdorim fjalë të ngarkuara si “e keqe” ose “frikacak”. Ne nuk flasim për “terroristë”. Dhe nuk jemi të vetmit që ndjekim këtë linjë.