Sot është dita e Sulltan Nevruzit dhe ndër gatimet që nuk mungojnë në tryezat e besimtarëve janë byreku me monedhën brenda, mishi i pjekur dhe ëmbëlsira si sultjashi dhe ashureja. Sot po ju sjellim pikërisht recetën e ashures, sipas Erida Kabashit.
Përbërësit që ju duhen:
300 gr grurë
2-3 litër ujë
1 gotë sheqer (ose më shumë, sipas preferencës)
Shkopinj kanelle dhe pluhur për dekorin sipër.
Fruta të thata: arra, stika, rrush etj.
Mund t’i shtoni edhe disa kokrra shege.
Për ta trashur ju nevojiten:
3 lugë gjelle niseshte
Gjysmë gote ujë:
Mënyra e përgatitjes:
Vendosni grurin të ziejë përreth 1 orë e gjysmë në zjarr nën mesataren. Nëse shihni se shteron, i shtoni pak ujë herë pas here. Kur shihni se gruri është zier (provojeni), shtoni sheqerin dhe shkopat e kanellës. Ndërkohë në një enë tresni niseshtenë me ujë dhe e shtoni te gruri. Shtoni dhe frutat e thata të grira dhe lërini disa minuta, derisa shihni që masa bëhet kremoze. Nuk duhet të trashet shumë, por as nuk duhet të jetë e hollë (si në video). Hidheni në gota dhe lëreni të mpikset për disa orë. Sipër mund t’i hidhni çfarë të doni për ta dekoruar dhe shijuar.