Ballina Vendi Shtohen rastet e divorceve në Shqipëri,Avokatja: Gratë nuk e durojnë...

Shtohen rastet e divorceve në Shqipëri,Avokatja: Gratë nuk e durojnë më dhunën

1

Burime nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor e Tiranës, por edhe rretheve të tjera ato që vendosin të divorcohen janë gratë.

Arsyeja? Një avokate, kryesisht divorcesh prej gati 20 vitesh, ka treguar se përse gratë lënë burrat e tyre.

“Arsyeja e parë është që gratë nuk e pranojnë më dhunën që ushtrojnë burrat. Njëkohësisht kjo ka ardhur si pasojë e pavarësisë që kanë ato dhe sidomos pavarësisë ekonomike. Çiftet e reja mendoj që kanë filluar të mos e vuajnë mentalitetin dhe paragjykimet, femrat sidomos.”-është shprehur Vjollca Pustina për mediat.

Ndër të tjera, ajo ka treguar edhe dy raste në të cilat, gratë kanë qenë ato që kanë lënë burrat e tyre.

“Dy rastet e fundit që kam patur, kanë të bëjnë me një zonjë me një fëmijë në moshën 10-vjeçare. Pavarësisht se bashkëshorti i lutej në momentin që i erdhi në dyert e gjykatës, ajo nuk pranoi të kthehej, me pretendimin, se ai nuk ndryshon dhe do të vazhdonte të ishte i dhunshëm. Rasti tjetër kishte lidhje po me ushtrim dhune. Tre herë kishin bërë kërkesë për divorc, pajtoheshin dhe në fund fare të dy u ndanë”.

Sipas avokates, ka një ndryshim mes grave të fshatit dhe atyre të qytetit.

“Gratë e fshatit mendohen 100 herë për të shkuar drejt divorcit, apo për të denoncuan në polici burrin për dhunë në familje. Ndërsa gratë e qytetit kanë filluar të çlirohen nga ai mentalitet se çfarë tha X apo Y për familjen time. Unë këmbëngul që çiftet të mos shkojnë drejt divorcit pa provuar dhe pa i dhënë mundësinë njëri-tjetrit, pasi ata që vuajnë më shumë pasojat e një divorci janë fëmijët. Ndarja ndikon drejtpërdrejt në shëndetin mendor të fëmijës”-shtoi avokatja.