TikTok-u, rrjeti social më i përdorur në të gjithë botën ashtu si në disa vende edhe në Shqipëri rrezikon të ndalohet apo të kufizohet. Ky aplikacion është përballur me akuza për cenim të të dhënave personale dhe përdorim të tyre nga qeveria kineze. TikTok është një video-aplikacion i cili është bërë viral në të gjithë botën. Platforma sociale TikTok u lançua në vitin 2017 në të gjitha tregjet ndërkombëtare ndërsa në SHBA në vitin 2018. Aplikacioni i lejon ndjekësit e tij të krijojnë video të shkurtra prej 15 sekondash dhe është bërë shumë popullor kryesisht për të rinjtë. Raportohet se TikTok ka mbi 1 miliardë përdorues, 100 milionë prej të cilëve janë amerikanë.
TikTok është në pronësi të kompanisë kineze ByteDance, por vetë kompania drejtohet nga ish-ekzekutivi i Disney, Kevin Mayer. Shumë vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja, India, Pakistani, Myanmar, Nigeria, Tajvani e kanë ndaluar përdorimin e këtij aplikacioni në pajisjet qeveritare, për shkak të dilemave se mund të ndajë të dhënat e përdoruesve me qeverinë kineze.
“Sipas politikës së privatësisë së Tik Tok, kompania grumbullon një gamë informacionesh si informacioni i regjistrimit, mosha, emri i përdoruesit dhe kodi, gjuha, e-mail dhe numri i telefonit, foto e profilit, informacion i llogarisë së mediave sociale, informacion llogarish bankare.”
Qeveria kineze është gjithashtu në konflikt me Indinë për tensionet kufitare të cilat çuan në mbylljen e 59 aplikacioneve kineze, përfshirë TikTok në Indi.
Edhe mazhoranca socialiste nëpërmjet kreut të grupit parlamentar në komisionin e integrimit hodhi idenë për ndalimin e TikTok-ut edhe në Shqipëri. Nisma kërkon më shumë mbrojtje të të dhënave personale duke ndjekur shembullin që ashtu sikurse disa vende partnere evropiane apo SHBA, edhe Shqipëria të ndalojë përdorimin e TikTok-ut në institucionet publike me dyshimet se pas këtij aplikacioni fshihet Partia Komuniste Kineze.