Brenda 7 vitesh, 50% e energjisë me të cilën do të furnizohen abonentët në Shqipëri do të prodhohet nga burime të rinovueshme. Ky është objektivi i qeverisë që ka të bëjë me konsumin final bruto të energjisë, që përcaktohet në Planin Kombëtar të Energjisë dhe Klimës.
Sipas këtij plani, pjesa e energjisë nga burimet e rinovueshme në konsumin final bruto të energjisë në vitin 2030 do të jetë 54.4%.
Pjesa e energjisë nga burimet e rinovueshme llogaritet si konsumi përfundimtar bruto i energjisë nga burimet e rinovueshme, përpjesëtuar me konsumin përfundimtar bruto të energjisë nga të gjitha burimet e energjisë. në përputhje me metodologjinë e miratuar nga qeveria.
Shqipëria ka të drejtë të zbatojë masa bashkëpunimi me palë të tjera kontraktuese të komunitetit të energjisë ose shtete anëtare të BE-së, me qëllim arritjen e objektivave të Planit Kombëtar të Energjisë dhe Klimës.
Do të jetë qeveria e cila do të përcaktojë treguesit minimalë për prodhimin e ujit të ngrohtë urban për përdorim sanitar dhe për proceset teknologjike, të përftuara prej sistemeve të energjisë diellore.
Çdo masë mbështetëse që përbën ndihmë shtetërore i nënshtrohet miratimit nga komisioni i ndihmës shtetërore.
Mbështetja për prodhuesit me përparësi jepet përmes procesit konkurrues. Për prodhues ekzistues me përparësi, çmimi i blerjes së energjisë elektrike nga burimet hidrike me kapacitet të instaluar deri në 15 më caktohet nga ERE-ja në përputhje me metodologjinë e miratuar nga Këshilli i Ministrave.
Metodologjia përcakton kriteret e llogaritjes së çmimit, duke u bazuar në çmimin e tregut të organizuar të energjisë elektrike ose deri në krijimin e tij, në çmime të krahasueshme të tregjeve të organizuara të vendeve fqinje, plus një bonus të caktuar për promovimin e këtyre burimeve, i cili merr në konsideratë një kthim të arsyeshëm të vlerës së investimeve.
Skemat mbështetëse
Mbështetja për prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme mund të jetë në një nga format e mëposhtme:
a) marrëveshje për blerje të energjisë;
b) kontratë për diferencën;
c) kontratë për prim.
/rtsh.al/ a.meta/