Ballina Vendi Shifrat e 6 marsit/ PS rritje të frikshme në të 6 bashkitë,...

Shifrat e 6 marsit/ PS rritje të frikshme në të 6 bashkitë, arrin kulmin në Dibër me 20%, Berisha-Meta ngushëllohen me humbjen e Bashës

2

Në Bashkinë e Rrogozhinës, Partia Socialiste është rritur me 10 % krahasuar me zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021. Në zgjedhjet lokale të 6 marsit 2021, kandidati i Partisë Socialiste, Edison Memolla fitoi zgjedhjet me 5438 vota ose rreth 61 %. Kandidati i Partisë Demokratike, Ferdinad Saraçi ka marrë 1966 vota ose rreth 22 %. Kandidati i aleancës Berisha-Meta (Shtëpia e Lirisë), Hekuran Xhani ka marrë 1550 vota ose 17 %. Në zgjedhjet parlamentare 2021, në Bashkinë e Rrogozhinës, PS-ja ka marrë 50 % të votave, koalicioni i PD-së 37 % të votave dhe LSI-ja 5.8 % të votave.

Në Bashkinë e Durrësit PS-ja është rritur me 8 %. Në Bashkinë e Durrësit, në zgjedhjet lokale të 6 marsit 2022, kandidatja e PS-së Emiriana Sako është shpallur fituese me 39 157 vota ose 58 %, kandidati i PD-së Luan Hoti ka marrë 7937 vota ose 11.8 % dhe kandidati i i Shtëpisë së Lirisë Ardian Muka 19 876 vota ose 29.6 %. Në zgjedhjet parlamentare 2021, në Bashkinë e Durrësit, PS-ja ka marrë 50 % të votave, PD-ja 41.6 % të votave dhe LSI-ja rreth 6 % të votave.

Në Baskinë e Lushnjes, Partia Socialiste është rritur me 5 % të votave, krahasuar me zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021. Në Bashkinë e Lushnjës, në zgjedhjet lokale të 6 marsit 2022, kandidatja e PS-së Eriselda Sefa është shpallur fituese me 21 477 vota ose me 58.8 %. Kandidati i PD-së Indrit Sefa ka marrë 3809 vota ose 10 %, ndërsa kandidati i Shtëpisë së Lirisë Elton Bano ka marrë 11 238 vota ose 30.7 %. Në zgjedhjet e fundit parlamentare, në Bashkinë e Lushnjes, PS-ja ka marrë 53.7 % të votave, PD-ja 36.9 % të votave dhe LSI-ja 6.3 % të votave.

Në Bashkinë e Shkodrës, Partia Socialiste është rritur me 15 % në raport me zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021, ndonëse zgjedhjet i fitoi kandidati i aleancës Berisha-Meta.

Në Bashkinë e Shkodrës, kandidati i koalicionit Shtëpia e Lirisë, Bardh Spahia, po fiton me 20 125 vota ose me 43.6 %. Kandidatja e PS-së Majlinda Angoni ka marrë 18 205 vota ose 39.5 %, ndërsa kandidati i PD-së Xhemal Bushati ka marrë 7749 vota ose 16.8 %. Në zgjedhjet e parlamentare të 25 prillit 2021, në Bashkinë e Shkodrës, PS-ja mori 28 % të votave, PD-ja 43 % dhe LSI-ja 9.3 %.

Partia Socialiste me në krye Edi Ramën vijon të shtojë në mënyrë frikshme mbështetjen popullore edhe pas 9 vitesh në pushtet, ndërsa opozita, e ndarë në dy fraksione, me në krye Lulzim Bashën, Sali Berishën dhe Ilir Metën vijon rënien e lirë. Ky është mesazhi i qartë i zgjedhjeve të pjesshme lokale të 6 mars 2022. Në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit 2022, Partia Socialiste ka shënuar rritje në të gjashtë bashkitë me 5 deri në 20 %, krahasuar me rezultatin në këtë bashki në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021. I vetmi ngushëllim për dyshen Berisha-Meta duket se është humbja e thellë e Bashës.

Në Bashkinë e Dibrës, rritja e PS-ja ka shënuar kulmin me 20 % krahasuar me zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021. Në Bashkinë e Dibrës, në zgjedhjet lokale të 6 marsit 2022, kandidati i PS-së Rrahim Spahiu ka fituar me 13 995 vota ose 60.8 %, kandidati i PD-së Luan Haka ka marrë 4437 vota ose 19.2 % dhe kandidati i Shtëpisë së Lirisë Përparim Kryemadhi 4478 vota ose 19.4 %. Në zgjedhjet e 2021, PS-ja, në Bashkinë Dibër, ka marrë 40.8 % të votave, PD-ja 49 % dhe LSI-ja 8.3 %.

Në Vorë PS-ja është rritur me 16 % krahasuar me zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021. Në zgjedhjet lokale të 6 marsit 2022, kandidati i PS-së për Bashkinë Vorë Blerim Shera ka marrë 8431 vota ose 69 % të votave. Kandidati i PD-së Ymer Marku ka marrë 764 vota ose 6 %, ndërsa kandidati i Shtëpisë së Lirisë Lulzim Vrana ka marrë 2956 vota ose 24 %. Në zgjedhjet e 25 prillit 2021, në Bashkinë e Vorës, PS-ja ka marrë 53 % të votave, PD-ja 36 % të votave dhe LSI-ja 5.7 % të votave.