Policia ka vendosur në pranga këngëtarin e njohur Rigels Rajku dhe DJ. Bahtjar Bajraktari, të cilët u përfshinë në një përplasje fizike pak ditë më parë në Kosovë.
Ata janë vendosur në pranga nga policia pasi ishin shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës pas sherrit të ndodhur të qytetin e Pejës ku Noizy akuzohet dhe dyshohet se ka qenë pjesëmarrës në dhunën e ushtruar ndaj Muhamet Isenit, i njohur në “TikTok” si Medi, bashkë me mikun e tij Bekim Hardergjonajn.
Policia ka rënë në gjurmët e dy personazheve të njohur pasi njësia “FAST Albania” ka marrë informacion nga “FAST Kosova”, për këta 2 shtetas të kërkuar për llogari të Kosovës, që mund të fshiheshin në Shqipëri.
“Menjëherë, FAST Albania, bazuar në inteligjencën policore, bëri të mundur lokalizimin e 2 të kërkuarve, dhe në kuadër të operacionit policor “Fast”, kapi në Lezhë dhe arrestoi 2 shtetasit e shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës, konkretisht shtetasin R. R., nga Durrësi, dhe shtetasin B. B., nga Prishtina. Kapja dhe arrestimi i tyre u bënë me qëllim ekstradimin në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Rigels Rajku mësohet se është ndaluar nga policia e Lezhës teksa po shkonte për të performuar në një klub nate mbrëmjen e së martës.
Pas ndalimit Noizy është dërguar në Tiranë ku edhe do t’i nënshtrohet procedurave ligjore për t’i ekstraduar më pas për në Kosovë.
Ndërkaq, policia ka shpallur në kërkim edhe reperin Arkimed Lushaj, i njohur si Stresi, i cili dyshohet se ka qenë i përfshirë në sherrin e ndodhur pak ditë më parë në Pejë.
/rtsh.al/