Ballina Vendi Shërbimi publik i pastrimit është shtrirë në të gjithë territorin e bashkisë...

Shërbimi publik i pastrimit është shtrirë në të gjithë territorin e bashkisë së Fieri

10

Me synim për të pasur një mjedis sa më të pastër bashkia e Fierit e ka shtrirë pastrimin në të gjithë territorin e saj. Drejtues të kësaj bashkie bëjnë të ditur se kujdesi për ruajtjen e mjedisit nga hedhjet pa kriter të mbetjeve në natyrë duhet të jetë i vazhdueshëm.

Pastrimi i mbetjeve urbane vazhdon të mbetet një sfidë për bashkinë e Fierit edhe pse janë arritur rezultate të kënaqshme në të gjithë sipërfaqen e territorit të saj. Duke bërë një retrospektivë të situatës mjedisore në këtë bashki me keqardhje konstatohej se në pjesën më të madhe të komunave pastrimi i mbetjeve pothuaj nuk ofrohej fare.

Me investimet e kryera me mjete pastrimi, kontejnerë dhe pika grumbullimi u arrit që brenda një kohe të shkurtër, jo vetëm në qytet, por edhe në të gjithë fshatrat të mblidheshin dhe depozitoheshin mbetjet urbane të cilat kishin pushtuar edhe rrugët nacionale të kësaj bashkie.

Nga puna e bashkisë aktuale, nga preokupimi i vazhdueshëm i kryetarit të bashkisë Armendo Subashi sot kjo situatë mjedisore njeh përmirësime të ndjeshme, por nuk mjafton vetëm puna e bashkisë për pastrimin e mjediseve.

Ndërgjegjësimi i komunitetit për mbajtjen sa më pastër të këtyre mjediseve ka një rëndësi të veçantë në këtë proces. Në qytet banorët duhet të respektojnë pikat e hedhjes së mbeturinave tashmë sipas ndarjes së tyre që në origjinë, ndërsa në komuna përveç mbetjeve familjare, fermerët duhet të kenë sa më tepër kujdes në nxjerrjen e mbetjeve bujqësore në rrugët e komunave dhe fshatrave./Tv Kombi/