Një hetim i zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të Illinoisit i publikuar të martën, zbuloi se 451 klerikë katolikë kanë abuzuar seksualisht me gati 2,000 fëmijë në këtë shtet gjatë një periudhe gati 70-vjeçare. Ky ishte më shumë se katërfishi i 103 individëve që kisha i ka përmendur si të abuzuar kur shteti filloi shqyrtimin e kësaj çështje në 2018.
Prokurori i Përgjithshëm, Kwame Raoul tha në një konferencë shtypi se hetuesit zbuluan se kleri katolik abuzoi me 1997 fëmijë në Illinois midis viteve 1950 dhe 2019.
“Shpresoj që ky raport të hedhë dritë si mbi ata që përdorën pozitat e tyre të pushtetit dhe besimin ndaj tyre, për të abuzuar me fëmijët e pafajshëm, ashtu edhe mbi personat në udhëheqjen e kishës që e mbuluan atë abuzim”, tha prokurori Raoul.
“Këta autorë mund të mos mbahen kurrë përgjegjës në një gjykatë, por duke i emërtuar ata në raport, synimi është të sigurohet një përgjegjësi publike dhe një masë qetësie shpirtërore për të mbijetuarit që kanë vuajtur prej kohësh në heshtje”.
Raporti i gjatë përshkruan se si udhëheqësit e kishës në Illinois ishin tejmase të ngadalshëm për të pranuar shkallën e abuzimit. Ai gjithashtu i akuzon ata se e kanë zvarritur shpesh vënien para përgjegjësisë të klerit të akuzuar dhe se nuk kanë paralajmëruar famullitarët për abuzuesit e mundshëm në mesin e tyre, në një rast edhe disa dekada pasi u shfaqën akuza për një anëtar kleri.
Ndër ata që citohen në raport janë edhe akuzues që menduan të bënin vetëvrasje pasi u abuzuan dhe që filluan abuzimet me drogë ose alkool në përpjekje për të përballuar “ankthin dhe ndjenjat e turpit”.
Në një deklaratë të lëshuar të martën, Rrjeti i të Mbijetuarve që thotë se është abuzuar nga priftërinjtë e quajti raportin “tronditës”, por theksoi se numrat e viktimave dhe abuzuesve të cituar nga hetuesit shtetërorë ka të ngjarë të jenë më të ulët nga ajo që grupi pretendon të jetë shifra e vërtetë.
Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar të premten përpara njoftimit të prokurorit Raoul, dioqezat katolike të shtetit publikuan përmbledhje të njërit prej proceseve të tyre, pas një akuze për abuzim, dhe thanë se raporti i prokurorit të përgjithshëm nxiti një rishikim të politikave të tyre dhe se ka kryer ndryshime, por pa treguar se për çfarë ndryshimesh bëhet fjalë.
Raporti shtoi se në shumë raste afati brenda të cilit mund të realizohej dënimi ka skaduar dhe se ata abuzues “nuk do të përballen kurrë me drejtësinë në kuptimin ligjor”.
Hetime të ngjashme të drejtuara nga qeveria që detajojnë abuzimet seksuale të klerit dhe dështimin e udhëheqësve të kishës për t’i mbajtur autorët përgjegjës, kanë tronditur kryedioqezat edhe në shtete të tjera, përfshirë Pensilvaninë dhe Marilandin.
Konferenca Katolike e Ilinoisit thotë se 3.5 milionë katolikë përbëjnë afërsisht 27% të popullsisë së Ilinoisit dhe se Kisha ka 949 famulli dhe 2,215 priftërinj, 1,372 dhjakë dhe 260 të ashtuquajtur vëllezër katolikë./VOA