Ballina Vendi Sezoni veror, Rama: Operatorët e Turizmit Detar të certifikojnë mjetet lundruese ose...

Sezoni veror, Rama: Operatorët e Turizmit Detar të certifikojnë mjetet lundruese ose do u bllokohen

3

Me afrimin e sezonit veror në vend po merren të gjitha masat për mbarëvajtjen e tij dhe në vend të ofrohen siguria për jetën e pushuesve dhe turistëve.

Kryeministri Edi Rama ka bërë thirrje të gjithë operatorëve të Turizmit Detar të certifikojnë mjetet lundruese për qëllime turistike në të kundër do u bllokohen.

“Me sezonin e ri turistik, i cili këtë vit po afrohet më shpejt dhe edhe më i mbarë se i shkuari, Operatorët e Turizmit Detar duhet medoemos të certifikohen zyrtarisht nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Aplikimet janë të hapura për të gjitha subjektet që ofrojnë mjete apo aktivitete lundrimi për qëllime turistike duke nisur nga motorët e ujit dhe deri tek motoskafët e anijet turistike, të cilat jo vetëm do të gjobiten, po edhe do të bllokohen e do të konfiskohen në rast mungese të certifikatës përkatëse”, shkruan Rama.

Kriteret për pajisjen me certifikatë “OPERATOR I TURIZMIT DETAR”:

Subjekti, i cili kërkon të pajiset me certifikatën e operatorit të turizmit detar, për çdo aktivitet turistik detar ose/dhe për të gjitha aktivitetet, përveç respektimit të parashikimeve të ligjit nr. 43/2020, duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme:

a) të jetë i pajisur me licencë XIII.1.B, sipas ligjit nr. 10 081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe ligjit nr. 93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, si operator turistik;

b) të ketë kontratë për vendbazimin e mjeteve lundruese me një port, marinë apo një subjekt që zotëron një stacion sezonal ankorimi në Republikën e Shqipërisë;

c) të ketë një plan menaxhimi të emergjencave, sipas karakteristikave të çdo lloji aktiviteti për zonën ku do të ofrojë shërbimin;

d) të ketë në pronësi apo në përdorim mjete lundrimi turistike në gjendje teknike të përshtatshme për ushtrimin e aktiviteteve të turizmit detar, vërtetuar me certifikatën e pronësisë apo kontratë të lidhur mes palëve të noterizuar;

e) të sigurojë përgjegjësitë ndaj palëve të treta në ujërat e detit të brendshëm dhe detit territorial të Republikës së Shqipërisë;

f) të njohë dhe sigurojë zbatimin e Kodit të Etikës së Operatorit të Turizmit Detar, miratuar me urdhër ministri.