Lufta në Ukrainë, sanksionet financiare, Kina. Në samitin e G7-s ka shumë për t’u diskutuar, por edhe një plan i kryeministrit japonez, Kishida, që kërkon të çojë përpara çarmatimin e botës nga armët bërthamore.
Lufta në Ukrainë dhe klima ishin temat kryesore të samitit të G7-s vitin e kaluar në Kështjellën Elmau, në Gjermani, vend që kishte kryesinë e radhës të G7-s, por këto tema do të jenë prezente edhe në samitin që fillon të premten Hiroshima(19.05.) Shtetet e G7-s duan të koordinojnë veprimet për ndihmën ndaj Ukrainës dhe sanksionet kundër Rusisë. Zbatimi i sanksioneve financiare pritet të diskutohet në samit, sepse kur ato mënjanohen nga vende të treta, efekti është i kufizuar. Drejtori i Shoqatës Gjermane për Politikën e Jashtme, Guntram Wolff thotë se sanksionet në këtë kuptim do të jenë një temë kontroverse në samit, ku G7-a mund të mbërrijë në limitet e saj ndërkohë që duhet të arrijë më shumë. “Nga samiti në Hiroshima shpresoj, që BE dhe G7 të koordinohen më mirë dhe të ecin të bashkuara.”
Por edhe mënyra e veprimit ndaj Kinës do të jetë një nga debatet kryesore në samitin e G7-s, edhe për shkak të fqinjësisë së drejtpërdrejtë të Japonisë. Japonia ka shumë përvojë me Kinën, thotë politikani i SPD-së, Nils Schmidt si në çështjet e tregtisë, reduktimin e varësive. Në këtë kontekst mund të mësohet nga Japonia. Kurse në çështjet e tregtisë së lirë apo proteksionizmit pritet të ketë përplajse, për shkak se SHBA e vazhdon pa u ndalur kursin e saj proteksionist. Politikanja gjermane e FDP-së, Gyde Jensen është megjithatë optimiste, se nga ky samit do të dalë një sinjal i unitetit për Kinën dhe Rusinë. Këtyre vendeve duhet t’u sinjalizohet se brenda aleancës së demokracive nuk ka konflikte.
Megjithëse po pakësohen dëshmitarët që përjetuan hedhjen e bombës atomike në gusht 1945 në Hiroshima, ky qytet mbetet simbol për paqen dhe shpresën. Familja e kryeministrit japonez, Fumio Kishida e ka origjinën nga ky qytet, të afërm të familjes humbën jetën pas bombës atomike amerikane. Për “Time Magazine”, Kishida tha, se kërcënimet e Putinit për të përdorur edhe armë atomike në Ukrainë e kishin shokuar atë.
Pikërisht në këtë situatë ai e quan të nevojshme të “rrisë dinamikën ndërkombëtare për ndalimin e armëve atomike dhe të përfshijë të gjitha shtetet atomare si Kina dhe Rusia në çarmatimin nuklear”. Këtë deklaratë Kishida e bëri që në mars në takimin konsultues të qeverive gjermano-japoneze, dukue iu referuar samitit tëG7-s në Japoni që fillon të premten.
Plan veprimi
Për këtë Kishida ka gati një plan veprimi, me të cilin do të reduktohen më tej armët bërthamore, do duhet të bëhen transparente rezervat bërthamore, energjia bërthamore do duhet të përdoret vetëm në mënyrë paqësore dhe të hiqet dorë nga kërcënimet për përdorimin e këtyre armëve. Politikanët e ardhur në samitin e G-7s do duhet të vizitojnë edhe muzeun e kujtesës së paqes në Hiroshima, ku përshkruhen efektet katastrofike të bombës së parë atomike mbi njerëzimin. Por shumë japonezë mendojnë, se kjo vizitë është më shumë një shou, si ajo e vizitës së presidentit Obama në vitin 2016 që qëndroi vetëm 10 minuta në muze.
Çarmatimi bërthamor në plan afatgjatë është një ëndërr personale e politikanit konservator, por Kishida është i ndërgjegjshëm për gjendjen e vështirë, thotë Ken Jimbo, ekspert sigurie në Universitetin Keio. “Me planin e veprimit të Hiroshimës ai kërkon të mbjellë farën për të ardhmen.” Përgjegjësia mbetet tek Kina dhe shtetet nukleare. “Ato duhet të bëjnë të ditura kapacitetin e armatimit bërthamor dhe të kujdesen për transparencë për programet atomike.”
Kundërshtia japoneze
Kryeministri japonez, Kishida synon që të nxisë në samitin e G7-s shtetet prezente atomike, SHBA, Britaninë e Madhe dhe Francën që t’i bashkohen marrëveshjes për ndalimin e armëve bërthamore. “Marrëveshja mund të shihet si pikënisje për një botë pa armë bërthamore. Për këtë nevojitet bashkëpunimi i shteteve atomike, por deri tani askush prej tyre nuk është palë në marrëveshje”, deklaroi Kishida së fundmi.
Ajo që Kishida e kalon me elegancë: Edhe qeveria e Japonisë nuk e ka nënshkruar marrëveshjen për armët bërthamore që ndalon prodhimin e armëve atomike, testimin e tyre, depozitimin dhe stacionimin si dhe kërcënimin me armë bërthamore. Sepse Japonia deri tani mbështetet në mbrojtjen e saj tek SHBA.
Japonia e sheh veten gjithnjë e më të kërcënuar nga fqinja e saj, Koreja e Veriut që vazhdon testet bërthamore dhe zhvillon më tej programin bërthamor. Por rrezik më të madh Japonia shikon tek Kina, gjë që u bë e qartë në takimin e ministrave të Jashtëm të G7-s në prill. Ministri i Jashtëm japonez, Yoshimasa Hayashi tha në takim se “ajo që sot ndodh në Ukrainë mund të ndodhë nesër në Azinë Lindore.” Republika e Kinës me manovrat e përsëritura nuk kërcënon vetëm Tajvanin, por edhe Japoninë, sepse raketat bien në afërsi të drejtpërdrejtë me ishujt japonezë apo zonën ekskluzive ekonomike japoneze.
Nga ana tjetër vetë Japonia ecën përpara me fuqizimin e armatimit. Buxheti i mbrojtjes së vendit deri në vitin 2027 do të dyfishohet- Një ligj i ri parashikon që shteti në rast nevoje i shtetëzon kompanitë e vogla dhe të mesme të armatimit në falimentin në mënyrë që të ruhet infrastruktura kritike