Rusët po marrin arratinë drejt vendeve fqinje për t’i shpëtuar mobilizimit të shpallur të Mërkurën nga Putini. Ky filmim tregon radhët e gjata të orëve të fundit të automjeteve nga Rusia që përmes pikave kufitare tokësore po i drejtohen Gjeorgjisë.
“Duket se shumë njerëz po ikin nga Rusia. Këtu është rrëmujë. Erdha në 5 të mëngjesit. Radha ishte 2 kilometra. Ndërsa tani më thonë se vargu i automjeteve ka arritur në 8 kilometra”.
Kilometrike edhe radhët e automjeteve me rusë që ikin drejt Kazakistanit. Edhe pse nevojiten viza, dyndje të rusëve ka edhe drejt Finlandës.
Më herët, dyndje pati edhe nëpër aeroporte drejt, Stambollit, Jerevanit dhe Dubait, drejt të cilëve nuk ka më bileta. Mobilizimi ka nisur në gjithë Rusinë, siç dëshmojnë këto pamje nga Republika e Sahasë në Lindjen e Largët.
Këtë të Premte, nisën edhe referendumet në 4 rajonet ukrainase të pushtuara, ku Moska pretendon se banorët do të vendosin nëse duan të bëhen pjesë e federatës ruse.
Tv Klan