Kjo sipas tij nxjerr në pah rëndësinë e rritjes së pagës minimale për shumë të punësuar. Por rritja e pagës ka rritur automatikisht edhe kostot e operimit të këtyre ndërmarrjeve ku më të ndjeshme kanë qenë në biznese të vogla ndërkohë që për të mëdhatë ndikimi ka qenë më modest. (84% kanë pësuar rritje deri në 30%).
Sipas raportit kompanitë kanë një perceptim të përzier për ndikimin e rritjes së pagës minimale në konkurrueshmërinë e tyre. Ndërsa 39% mendojnë se nuk ka pasur ndikim, 37% mendojnë se i ka bërë më pak konkurrues. Ky perceptim është i njëjtë edhe tek eksportuesit.
Sipas sekretariatit të KI gjysma e kompanive perceptojnë rritje të motivimit të punonjësve në punë (disi/mjaft), kryesisht në shërbime, turizëm dhe industri pas rritjes së pagave. Kjo sugjeron që pagat më të larta mund të çojnë në rritjen e moralit dhe motivimit të punonjësve.
Ndërkohë politika e rritjes së pagave pavarësisht kostove vlerësohet pozitivisht nga kompanitë edhe në parashikimet e të ardhmes duke e cilësuar si një instrument për të frenuar valën e largimit jashtë të punonjësve.
Pavarësisht rritjes së kostove, rreth 50% e kompanive mbështesin rritjen e mëtejshme të pagës minimale, kryesisht në shërbime, tregti dhe turizëm. Rreth një e treta e kompanive mendojnë se kjo do të ndihmojë në frenimin e largimit të fuqisë punëtore në vend, kryesisht në turizëm, tregti dhe industri” thuhet në raport.