Ballina Vendi Rriten ankesat e Shqiptareve per rritjen e çmimeve

Rriten ankesat e Shqiptareve per rritjen e çmimeve

1

Konsumatorët shqiptarë janë të shqetësuar për rritjen e çmimeve në vend dhe kjo reflektohet edhe në ankesat e depozituara pranë Qendrës për Mbrojtjen e Konsumatorit. Drejtori i saj Hasan Stafa thotë për Klan Plus se janë janë mbi 800 ankesa nga konsumatorët shqiptarë nga nisja e ndryshimeve të çmimeve të produkteve të ndryshme ushqimore në treg. Abuzimet nga tregtarët vërehen kryesisht në zonat rurale.

“Ne do ta fillojmë që nga fundviti i 2021 dhe fillimi i 2022 atëherë kur pothuajse ra vala e pandemisë por nga ana tjetër nuk ranë çmimet. Ato ishin ngritur që në korrik-gusht të 2020 dhe vazhduan në mënyrë të padeklaruar dhe pjesa më e keqe është sepse këtu te ne pjesa më vulgare është sepse tregtarët spekulojnë shumë me çmimet. Ne e dimë sot se rreth 82% e produkteve ushqimore kryesisht importohen dhe në këtë rast ne jemi nga tregu global, rajonal dhe ndërkombëtar. Aq më tepër në një situatë lufte ku sanksionet nga e gjithë bota perëndimore dhe shtetet e tjera ndaj Rusisë dhe Ukrainës që është furnizuesja më e madhe, natyrisht që do të ndikojë drejtpërdrejtë.”-thotë Stafa.

Ndërkohë në mënyrë periodike qeveria po monitoron situatën duke ngritur edhe bordin e transparencës për të parë nëse ka abuzime. Kjo ka bërë që të ketë një rritje të besimit nga ana e qytetarëve.

“Natyrisht ka një rënie të ankesave sepse është krijuar një farë besimi i publikut tek autoritetet për të vepruar, por dhe këto nuk janë shumë eficente sepse nuk bëhet një deklaratë ose informacion. Të paktën çdo dy ditë të bëhet një deklaratë mediatike nga kjo strukturë për publikun, për konsumatorin të thonë që ne konstatuam gjatë këtyre ditëve që çmimet do të jenë nga ky nivel deri të nivelet e verifikuara, por konstatuam dhe këto probleme në mënyrë që konsumatorët mos të adresohen në ato subjekte që abuzojnë.”- tha Stafa.

Hasan Stafa (Foto nga Gazeta Koha Jonë)

Drejtori i Qendrës për Mbrojtjen e Konsumatorit shpjegon edhe mënyrën se si operohet nga momenti kur merren ankesat nga qytetarët e deri tek përçimi tek institucionet përkatëse.

“Me marrjen e ankesave bëhet verifikimi i saj, sepse një ankesë që vjen nuk mund të shkojë direkt në një institucion, i cili ndjek ankesën sepse mund të jetë nje tendencë konkurencë jo e ndershme kundër njëri-tjetrit, shumë herë mund të jetë dhe e rreme. Pasi merret ankesa shkohet verifikohet, konstatohet subjekti, evidentohet si është problemi, kontaktohet dhe konsumatori dhe pastaj me numrin e kartës së identitetit të konsumatorit dhe ankesën, që është një fletë e posaçme ose formularët specifikë, merret ankesa dhe drejtohet në autoritetet përkatëse”, sqaron Stafa.

Ai shpreh edhe shqetësimin për rënien e konsumit dhe të fuqisë blerëse teksa komenton edhe largimin e disa tregtarëve nga Tregu i Pazarit të Ri në kryeqytet.

“| Një pjesë e tyre janë larguar, dy mungojnë dhe sot nga ato që takova pardje është diçka këtu. Është një treg i kushteve standardeve evropiane në kuptimin e strukturës, por ama pjesa tjetër është pjesa boshe brenda sepse njerëzit janë larguar. Duke mos pasur fuqi blerëse, duke mos pasur xhiro ditore ata nuk arrijnë të përballojnë as taksën e bashkisë, apo taksa të tjera që paguajnë për vendin, jo më të nxjerrin fitimin e tyre. Pra është ulja e fuqisë blerëse dhe varfëria ajo që ka çuar në minimizim dhe largimin e këtyre njerëzve nga tregu”, thotë Stafa.

Çmimet e perimeve në treg (Foto nga Agroweb)

Çmimet e perimeve në treg (Foto nga Agroweb)

Qytetarët shqiptarë kanë ngritur shqetësim edhe për blerjet online dhe mashtrimet në këtë drejtim.

“Ne kemi 7 muaj që kemi denoncuar në institucionet përkatëse, qoftë dhe pranë prokurorisë dhe organeve të tjera hetimore. Janë 17 raste në të cilët konsumatorët janë mashtruar nga blerjet online. Kryesisht kanë qenë 2 raste në Korçë, 11 në Tiranë, 2 në Durrës, 1 në Shkodër dhe 1 në qytetin e Elbasanit”, deklaroi për televizionin Klan Plus Drejtori i Qendrës për Mbrojtjen e Konsumatorit, Hasan Stafa.