Ballina Bota Rrëmbimi i amerikanëve në Meksikë, 2 të vrarë 2 ende gjallë

    Rrëmbimi i amerikanëve në Meksikë, 2 të vrarë 2 ende gjallë

    2

    Dy amerikanë janë transportuar në një spital të Teksasit në Shtetet e Bashkuara të martën pasi i mbijetuan një rrëmbimi vdekjeprurës në Meksikë. Dy amerikanë të tjerë u vranë. Kryeprokurori i shtetit Tamaulipas, Irving Barrios, konfirmoi se dy amerikanët e mbijetuar iu dorëzuan autoriteteve amerikane në Teksas. Nuk ka njoftime nëse trupat e dy amerikanëve të vrarë po transportohen drejt Shteteve të Bashkuara.

    Presidenti i Meksikës Andrés Manuel López Obrador tha gjatë një konference shtypi se një individ ishte ndaluar. “Përgjegjësit do të gjenden dhe do të ndëshkohen”, tha presidenti i Meksikës.

    Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Merrick Garland, shprehu ngushëllime për familjarët e viktimave. “Kartelët janë përgjegjës për vrasjet e amerikanëve”, tha zoti Garland. “DEA dhe FBI-ja po bëjnë gjithçka të mundur për të çmontuar dhe ndjekur penalisht udhëheqësit e kartelëve dhe të gjitha rrjetet e tyre”.

    Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se SHBA-të po bashkëpunojnë me zyrtarët meksikanë për të mësuar më shumë rreth rrethanave të vrasjeve.

    “Sulmet ndaj qytetarëve amerikanë janë të papranueshme, pavarësisht se ku dhe në çfarë rrethanash ndodhin”, tha zoti Kirby. FBI-ja pati ofruar 50 mijë dollarë për informata lidhur me kthimin e viktimave dhe arrestimin e rrëmbyesve.

    Guvernatori i shtetit Tamaulipas, Américo Villarreal, tha të martën se një nga dy shtetasit amerikanë të mbijetuar ishte i plagosur. FBI-ja njoftoi të dielën se në bashkëpunim me autoritetet meksikane po bënte kërkime për individët e zhdukur.

    “Dy janë vrarë, një individ është plagosur dhe një tjetër është i gjallë. Aktualisht ambulanca dhe organet e sigurisë po shkojnë për të ofruar ndihmën përkatëse”, tha zoti Villarreal. Guvernatori nuk dha detaje të mëtejshme se ku ishin gjendur amerikanët. Ai pritet të dalë në një konferencë shtypi më vonë të martën.

    Shtetasit amerikanë u gjenden në një zonë rurale të quajtur Ejido Longorno përgjatë rrugës që të çon në plazhin lokal Playa Baghdat, sipas një zyrtari shtetëror që kërkoi të mbetej anonim.

    I afërmi i njërit për individëve tha se të katër amerikanët kishin udhëtuar nga Karolina e Jugut për të realizuar një ndërhyrje kirurgjikale nga një mjek në qytetin Matamoros.

    Menjëherë pas futjes në Meksikë të premten, ata u gjendën nën zjarrin e armëve të grupeve rivale të karteleve të drogës. Pamjet filmike tregojnë momentin kur individë të armatosur i detyrojnë amerikanët të hipin në një makinë.

    Zyrtarët meksikanë thanë se një grua, kalimtare e rastit, humbi jetën gjatë shkëmbimit me armë zjarri.

    Incidenti është shembull i terrorit që ka mbizotëruar prej vitesh qytetin Matamoros, ku dominojnë kartele të fuqishme të drogës, të cilat shpesh luftojnë mes tyre. Vetëm në shtetin Tamaulipas janë zhdukur mijëra meksikanë si rezultat i dhunës mes karteleve të drogës./VOA