Në një postim të tij i deleguara i qarkut të Partisë Socialiste, deputeti Taulant Balla është shprehur për vijimësinë e punës në fazën e dytë të lumit të Gjanicës. Në këtë postim Balla ka sjellë një thënie të Emil Zolas sipas të cilit “Puna të jep zemër dhe besim: njeriu që punon është gjithmonë i mirë”. Përfundimi i këtij segmenti do të plotësojë më tej mozaikun e transformimit urbanistik të qytetit. Aktualisht është duke u punuar në shtrimin e rrugëve përgjatë gjithë gjatësisë së lumit, vendosja e stolave, ndërtimi i shkallëve dhe rampave për akses në të dy nivelet.
Në synimet e bashkisë së Fierit është që nga rehabilitimi i segmentit të dytë të lumit Gjanica do të fitohet një ripërtëritje urbane, si dhe qëndrueshmëri të zhvillimit mjedisor, ekonomik e kulturor. Projekti është në vijimësi të projektit për rikonceptimin e qendrës së qytetit dhe të ndërtimit të Pallatit të Sportit të lojërave me dorë. Ky projekt synon të rikthejë lumin Gjanica në një nga asetet natyrore më të rëndësishme të zonës urbane të qytetit të Fierit, ndërsa në kuadër të tij u rikonceptua edhe sheshi qendror, i cili i mungonte qytetit.
Në prononcimet e tij kryetari i bashkisë së Fierit Armando Subashi duke folur për impaktin që do të sjellë për qytetin faza e dytë të rehabilitimit të lumit Gjanica është shprehur se qëllimi kryesor i këtij projekti është ripërtëritja urbane e zonës dhe qëndrueshmëria e zhvillimit mjedisor, ekonomik, kulturor dhe më e rëndësishmja, rikthimi i lumit Gjanica në karakterin e tij natyror, të prekshëm për banorët e qytetit të Fierit. Ky projekt do të sjellë lirimin e hapësirave publike dhe aksesimin e drejtpërdrejtë me lumin, krijimin e shëtitores përgjatë gjithë gjatësisë së lumit dhe konceptimin e disa mini shesheve përgjatë lumit. Po ashtu parashikohet krijimi i disa elementeve arkitektonik siç janë ballkonet panoramike, shkallare, shtimi i elementeve të dizajnit urban me stola dhe ndriçues etj; sistemimi i gjelbërimit në zonë dhe konceptimi i parqeve përgjatë lumit.
Sipas projektit e gjithë gjatësia e lumit është trajtuar si një shëtitore e vazhduar në dy nivele të saj. Në zona të caktuara janë konceptuar disa sheshe si një hapësirë rekreacioni që nuk ka akses nga automjetet. Sheshet janë pozicionuar në disa pika kyçe përgjatë gjithë gjatësisë dhe janë konceptuar si pika qendrore të projektit duke i pasuruar edhe me elemente të tjerë arkitektonike si: shkallare dhe ballkone panoramike për përjetësimin e hapësirës në disa nivele.
Shkallaret janë menduar si pika grumbullimi dhe pushimi, me gjelbërim të shtuar dhe elemente të dizajnit urban. Kjo hapësirë do jetë në shërbim të qytetit për aktivitete të ndryshme si dhe mund të shërbejë për instalacione urbane, duke e kthyer sheshin në një hapësirë rekreative.
TV KOMBI