Ballina Bota Redaktorja e një reviste gjermane shkarkohet menjëherë pas “intervistës” me Shumaker

    Redaktorja e një reviste gjermane shkarkohet menjëherë pas “intervistës” me Shumaker

    1

    Redaktorja e një reviste gjermane që publikoi një “intervistë” të gjeneruar nga inteligjenca artificiale me Michael Schumacher është shkarkuar.

    Botuesja e revistës i ka kërkuar falje familjes së legjendës së Formula 1.

    Schumacher, shtatë herë kampion bote, pësoi lëndime të rënda në kokë në një aksident me ski në dhjetor 2013 dhe që atëherë nuk është parë në publik.

    “Die Aktuelle” botoi një revistë me titullin e kopertinës: Michael Schumacher, intervista e parë.

    Artikulli është prodhuar duke përdorur një program të inteligjencës artificiale, të quajtur charatcter.ai, i cili gjeneroi artificialisht ‘citate’ të Schumacher për shëndetin dhe familjen e tij.

    “Unë me ndihmën e ekipit tim mund të qëndroj vetëm dhe madje të eci ngadalë disa hapa”, lexojnë ‘citimet’ e Schumacher.

    “Gruaja dhe fëmijët e mi ishin një bekim për mua dhe pa ta nuk do t’ia kisha dalë. Natyrisht edhe ata janë shumë të trishtuar, se si ka ndodhur gjithçka. Ata më mbështesin dhe po qëndrojnë fort në anën time”.

    Familja e Schumacher tha të premten se ata planifikojnë të ndërmarrin veprime ligjore kundër revistës dhe gjatë fundjavës botuesja kërkoi falje.

    “Ky artikull pa shije dhe mashtrues nuk duhet të ishte shfaqur kurrë. Ai në asnjë mënyrë nuk përmbush standardet e gazetarisë që ne – dhe lexuesit tanë – presim,” tha Bianca Pohlmann, drejtoreshë menaxhuese e grupit mediatik Funke.

    Redaktorja e “Die Aktuelle”, Anne Hoffmann, e cila mban përgjegjësinë gazetareske për revistën që nga viti 2009, do të lirohet nga detyra që sot.