Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mblidhet ditën e sotme për të folur mbi ndikimin që ka lufta në Ukrainë në paqen e sigurinë ndërkombëtare, zhvillimin ekonomik dhe veprimet shumëpalëshe. Tryeza e dialogut të nivelit të lartë do të drejtohet nga kryeministri shqiptar Edi Rama, pasi gjatë muajit Shtator vendi ynë ka Presidencën e radhës së tryezës më të rëndësishme të vendimmarrjes në botë.
Dhe nga oborri i OKB-së, kryeministri Rama ka nisur ditën dhe ka realizuar dhe një foto, të cilën e ka shpërndarë në rrjetin social “Facebook”. Krahas imazhit, kryeministri i vendit Rama ka shkruar se Shqipëria do të ulet sot në krye të tryezës së Këshillit të Sigurimit, për të drejtuar një nga seancat më të rëndësishme të dekadës së fundit.
“MIRËMËNGJES dhe me këtë foto nga oborri i OKB-së, ku sot Shqipëria do të ulet në krye të tryezës së Këshillit të Sigurimit, për të drejtuar një nga seancat më të rëndësishme të dekadës së fundit, ju uroj të gjithëve një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Gjatë qëndrimit në Neë York, ditën e djeshme kryeministri ka patur mundësi të ketë një takim dhe me ministrin britanik të Punëve të Jashtme, James Cleverly me të cilin kanë folur për marrëveshjen për transferimin e të burgosurve shqiptarë që vuajnë dënimin në Mbretërinë e Bashkuar, e cila ka nisur të zbatohet./tvklan.al