Ballina Lajme Politike Rama prezanton në NATO bazën detare të Porto Romanos  

Rama prezanton në NATO bazën detare të Porto Romanos  

1

“Një vlerë e rëndësishme për logjistikën e Aleancës”

Idenë për bashkëfinancim me NATO-n të një aneksi ushtarak, që qeveria shqiptare projekton ta ndërtojë në portin e ri tregtar të Porto Romanos, ashtu siç kishte lajmëruar, kryeministri Edi Rama e diskutoi me Sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës.

“Vlerësoj shumë disponibilitetin tuaj për të na kushtuar pak kohë në bisedën tonë për t’ju prezantuar ambicien tonë, për të shtuar një vlerë tjetër të rëndësishme në infrastrukturën dhe logjistikën e aleancës sonë, duke vënë në dispozicion të NATO-s një bazë të flotës detare të fjalës së fundit që do të jetë një vend që jo vetëm mund të ndërtojmë, por mund ta ndërtojmë duke patur parasysh sfidat e kohës sonë”.

Vetë Stoltenberg nuk e ceku si çështje në konferencën e përbashkët për shtyp, pas takimit në selinë qendrore të NATO-s në Bruksel. Kjo ndoshta dhe për faktin se nuk ka ende një projekt, por është në fazën e një ide që gjithsesi nëse realizohet, duhet të marrë patjetër mbështetjen e të gjithë vendeve anëtare të Aleancës.

Stoltenberg vlerësoi vullnetin e treguar nga parlamenti shqiptar për të ratifikuar një javë më parë me procedurë të përshpejtuar protokollet e anëtarësimit në NATO të Suedisë dhe Finlandës.

“Ne po kështu ramë dakord që të ftojmë Finlandën dhe Suedinë që të anëtarësohen në NATO dhe përgëzoj Shqipërinë për ratifikimin e protokolleve të anëtarësimit për të dyja vendet kaq shpejt. Faleminderit shumë. Kjo dëshmon se dera e NATO-s mbetet e hapur dhe se vazhdojmë që të përkrahim të drejtën e çdo vendi të zgjedhë rrugëtimin e vet. Mirëpritja e Finlandës dhe Suedisë në Aleancë do t’i bëjnë ato më të sigurta, NATO-n më të fortë dhe botën më të sigurt”.

Kryeministri shqiptare ka kërkuar që e njëjta gatishmëri të tregohet për të mirëpritur dhe Kosovën në gjirin e NATO-s.

“Pata edhe njëherë shansin t’ju them atë që kam përmendur edhe një herë në samit, nevojën për të konsideruar përfshirjen e Kosovës në partneritetin për paqe edhe pse e dimë që ka disa kufizime politike nga disa aleatë dhe e dimë që ky është organizëm konsensual. Me kohët në të cilat jetojmë, në këndvështrimin tim modest është vërtetë e mençur që kjo të rikonsiderohet”.

Rama foli dhe për detyrimin që kanë vendet anëtare të Aleancës si pjesë e konceptit të ri strategjik të miratuar në samitin e Madridit, për vijuar në një dialog të përhershëm më Ballkanin Perëndimor, ku bën pjesë Serbia, që nuk është anëtare e NATO-s, por realitet në këtë rajon.