Pas zhvillimeve të furishme në Partisë Socialiste dhe ndryshimet në qeveri gjatë muajit që lamë pas, kryeministri Edi Rama ka nisur pushimet këtë fillim gushti.
Edhe këtë vit, kreu i qeverisë ka zgjedhur të relaksohet në Dhërmi, nga ku ndau shifrat e hyrjeve në vendin tonë, që flasin për një numër rekord të turistëve.
Duke lexuar hyrjet në Shqipëri nga aeroporti “Nënë Tereza”, Rama tha se në gjashtë muajt e parë të 2024, kanë hyrë 1.2 milionë pasagjerë, 350 mijë më shumë se një vit më parë. Sipas tij, aeroporti Rinasit po operon me qindra operime në ditë, duke u bërë i pari në rajon.
“Përshëndetje. Ca ditë pushim, si gjithnjë prej 10 vitesh, këtu në Dhërmiun magjik. Mbrëmë mora të dhënat për hyrjet në Shqipëri, vetëm nga kufiri ‘Nënë Tereza’ dhe në pikën kufitare të Morinit dhe m’u duke udhës t’I ndaj me ju. Nga aeroporti kanë hyrë thuajse 1 milionë e 200 mijë pasagjerë, mbi 350 mijë më shumë se sa vjet. Madje, këtë korrik është thyer edhe një rekord tjetër, ai i hyrjeve në një ditë të vetme, 44 mijë. Aeroporti ka arritur të operojë deri në 252 fluturime në ciklin e 24 orëve, një volum marramendës dhe i paimagjinueshëm deri pak vite më parë.
Fatmirësisht, për shifrat e aeroportit nuk mund të thonë dot gjë as ato gojët me qime të atyre që nuk pushojnë ‘u zbraz’ Shqipëria. Për numër pasagjerësh, Tirana e ka spostuar në vendin e dytë aeroportin e Beogradit, i cili historikisht ka qenë i parë në këtë rajon”.
Duke përmendur edhe shifrat e hyrjeve nga pika kufitare e Morinës, kryeministri tha se më shumë shqiptarë nga Kosova kanë vizituar vendin tonë, duke hedhur poshtë pretendimet se këta shtetas kanë braktisur Shqipërisë pasi fituan lëvizjen e lirë në vendet Shengen.
“Por, edhe shifrat e hyrjes në Morinë, që e tregon regjistri elektronik i pagesës së autostradës, tregon se gjatë këtij viti kanë hyrë 175 mijë më shumë automjete se sa vjet, ndërsa në korrik, 3000 më shumë se sa korrikun e shkuar. Edhe ajo teoria keqdashëse, e përhapur këtë sezon me ca teori të tjera për shqiptarët e Kosovës që e kanë braktisur Shqipërinë, është një zero me xhufka.
Nga ana tjetër, janë shifrat e të ardhurave nga doganat e tatimet, që dhe ato janë me rritje krahasuar me vjet, sepse ka një rritje të konsiderueshme konsumatorësh krahasuar me vjet, më shumë njerëz që shpenzojnë këtu në Shqipëri”.
Rama ironizoi ata që flasin për dështim të turizmit, por theksoi se “po mban shënime për të pasur një sezon më të mbarë dhe më cilësor” vitin e ardhshëm.
“Është e habitshme se sa të pamundur e ka një pjesë e jona që t’i gëzohet suksesit të Shqipërisë. Megjithatë, shyqyr që është një pjesë që zvogëlohet krahasimisht me Shqipërinë që rritet e forcohet, por për disa është për të thënë shyqyr që i kemi, tamam si ato hudhrat në dyert e shtëpive, që e mbrojnë vendin nga syri i keq. Pushime të mbara dhe askush të mos mendojë se nuk po mbajmë shënime për të nxjerrë mësime edhe nga ky sezon që është shumë i mbarë, por ka plot gjëra për të korrigjuar dhe gabime për të adresuar, që në sezonin e ardhshëm të kemi më shumë mbarësi, por edhe më shumë cilësi”.