
Në mbledhjen e parë me furnizuesit e naftës në vend, Bordi Kombëtar i Administrimit të Karburantit ka vendosur që sot çmimi i naftës do të jetë 217 lekë, nga 223 që tregonin pikat e karburanteve mëngjesin e kësaj të shtune. Mbledhja u zhvillua në Ministrinë e Financave, ndërsa më vonë do të ketë edhe një deklaratë nga kryeministria për më shumë detaje nga vendimet e marra .
Ndërkohë kryeministri Edi Rama ka mbledhur qeverinë për t’i dhënë ‘dorën e fundit’ planit të masave anti-krizë. Ky plan është një paketë e Rezistencës Sociale ndaj pasojave të krizës globale energjetike si edhe të luftës në Ukrainë mbi çmimet, ku në vendin tonë kanë pësuar një rritje të lartë.”Paketa e Rezistencës Sociale ndaj pasojave të krizës globale energjetike si edhe të luftës në Ukrainë mbi çmimet po merr formë përfundimtare”, njofton Rama, teksa në përfundim të mbledhjes do të ketë një komunikim për mediat ku pritet edhe prezantimi i pikave të planit.
Ditën e djeshme, në takimin me furnizuesit e naftës, Rama tha se asnjë pikë karburanti nuk do të ketë çmim të vendosur pa miratimin e Bordit Kombëtar të Administrimit të Karburantit, që u ngrit ditën e sotme teksa theksoi se marzhi i fitimit të kompanive do të ngrijë dhe nuk do të lejohet abuzimi në kurriz të qytetarëve. Anëtarët e Bordit të Administrimit të Karburanteve do të jenë: ministrja Belinda Balluku, ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, drejtori i drejtorisë së Tatimeve, Ceno Klosi, drejtori i drejtorisë së Doganave, Gent Gazheli si dhe kryetari i Autoritetit të Konkurencës, Denar Biba.
Ngritja e çmimit të naftës dhe produkteve të shportës ka shkaktuar reagimin e qytetarëve, të cilët kanë organizuar protesta në disa qytete, teksa sot kanë paralajmëruar se do të mblidhen sërish në shesh në orën 11:00.