Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se do ta mbyllë mandatin e tij qeverisës duke rritur pagën minimale në 45 mijë lekë.
Përmes një postimi në rrjetin social, në Facebook, kreu i qeverisë thekson se objektivi elektoral ishte 38 mijë lekë duke mos marrë parasysh inflacionin e shkaktuar nga lufta në Ukrainë. Por, që tashmë sipas tij, në vitin 2025, paga minimale do të jetë 45 mijë lekë, nga 40 mijë lekë që pritet të bëhet në fund të këtij muaji.
“Do të bëjmë edhe dy rritje të tjera për ta mbyllur këtë mandat me pagë minimale 45 mijë lek, nga 38 mijë që ishte objektivi ynë elektoral, por që s’merrte parasysh inflacionin e luftës së Putinit për të gjunjëzuar ekonomikisht mbarë Europën!
Ndërkohë kjo rritje përtej parashikimeve e pagës minimale imponon edhe rritjen e pagës mesatare për të riekuilibruar piramidën e pagave, çka do të bëhet njëkohësisht në muajin prill, thekson Rama.
Duke iu referuar komenteve se paga minimale duhet të jetë 70 apo 80 mijë lekë, Rama thotë se shifrat e tilla bëhen në bazë të produktivitetit.
“Disa komentojnë se paga minimale duhet të bëhet 70 apo 80 mijë lekë, por përllogaritja e pagës minimale bazohet në produktivitetin ekonomik dhe konkurueshmërinë, jo në dëshirat tona (asnjë vend i rajonit nuk e ka një minimum të tillë).
Çdo rritje artificiale e saj sjell me shpejtësi pasoja destabilizuese për ekonominë, punësimin, financat e vendit”, shkruan më tej Rama.
Rama shpjegon se Shqipëria e ka nisur që prej vitit 2013 si “vendi i fundit në rajon për nivelin e pagës minimale, ndërsa me rritjen e fundit ngjitemi në vendin e tretë baraz me Maqedoninë e Veriut, duke lënë pas Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën.”