Kryeministri Edi Rama nuk është ndalur te fjalimi i mbajtur para Asamblesë Parlamentare të KiE-së për raportin e Dick Marty-t. Kryeministri Edi Rama u ka nisur një letër kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të të gjithë vendete anëtarë të Këshillit të Europës. Ai ka kërkuar heqjen sipas tij të ‘njollës së turpit’ të trafikimit të organeve njerëzore mbi kombin tonë dhe mbi vetë Këshillin e Europës. Ai thekson se nuk ka as një provë në lidhje me pretendimet e ngritura për trafikimin e organeve njerëzore, qoftë në Shqipëri a qoftë në rajon.
Gjatë fjalës në asamble javën e shkuar, Rama mori kritika të shumta për fjalimin e tij. Krerët e vendeve anëtare në shenjë zemërate refuzuan ftesën e kryeministrit për darkë pune në Strasburg. Në fjalën e tij, Rama tha se raporti i Dick Marty mbi UÇK-në është “fake news”-i më i tmerrshëm, që kishte parë ndonjëherë dhe për këtë arsye kërkoi korrigjimin e tij.
Rama shkruan ndër të tjera në letër, se aktakuzat e paraqitura nga Dhomat e Specializuara në Hagë nuk përmbajnë as edhe një fjalë të vetme lidhur me nxjerrjen dhe trafikimin e pretenduar të organeve njerëzore.
‘Sado e çuditshme të duket kjo, nuk ka fakte, nuk ka autorë, nuk ka viktima të trafikimit të organeve njerëzore. Raporti dhe rezoluta që pasoi nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës u mbështetën më tepër në spekulime sesa në fakte. U mbështet në thashetheme që qarkullonin në vend të provave. Ato tanimë janë kthyer në një njollosje të pamerituar të atyre që janë akuzuar pa të drejtë dhe në një turp për politikën ndërkombëtare.’,thuhet ndër të tjera në letrën e Ramës drejtuar kryetarëve të KiE-së.
Në fund të letrës së tij, kryeministri Edi Rama, kërkon mbështetjen shteteve të cilëve u ka nisur letrën. Po ashtu ai dëshiron miratimin e kërkesës së Shqipërisë, për nisjen e procedurës që do të çojë në një raport vijues. Ky raport do të jetë sipas Ramës një korrigjim i ndershëm dhe i domosdoshëm i një gabimi tragjik, pasojat e të cilit vazhdojnë të na përndjekin.