Ballina Vendi Qeveria do të nisë operacionin për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme

Qeveria do të nisë operacionin për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme

2

Qeveria do të ndërmarrë aksion për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike.

Me të njëjtën mënyrë si 7 vite më parë dhe me “alibinë” e krizës ndërkombëtare, këtë vjeshtë një task-forcë e posaçme do të nisë operacionin për verifikimin dhe ndërprerjen e lidhjeve pa kontratë. Kjo do të jetë pjesë e paketës së masave që pritet të prezantohen në ditët në vijim. Ndërsa çfarë dihet tjetër përveç këshillave me tepri që janë dhënë në rrjetet sociale “për të kursyer energji duke larë rroba në 30 gradë”, apo “duke fikur llambat kur dilni nga dhoma” është edhe rivendosja e fashës.

RIKTHIMI I FASHËS

Kështu, prej 1 tetorit familjet që harxhojnë më shumë se 800 Kwh në muaj, për diferencën mbi këtë prag do të faturohen me çmim tregu. Nga kjo skemë e re preken pak, por rreth 50 mijë familje që do të faturohen më shtrenjtë për sasinë e energjisë së harxhuar në harkun e një muaji. “Është bërë studimi se sa familje preken dhe sa do jetë ky çmim. Synojmë të mos prekim çmimin e tregut.

Fasha 800 kwh ka disa propozime nga Operatori i Shpërndarjes dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, të cilat do të diskutohen nga Këshilli i Ministrave për t’u zgjedhur ajo që do të jetë më e mirë edhe për të optimizuar financat e sektorit, por edhe për të diferencuar mburojën sociale që i japim qytetarit për nevojat që një familje sa i përket energjisë elektrike dhe pastaj ata qytetarë që vendosin të shpenzojnë më shumë por që mbetet në diskrecionin e tyre për të paguar një çmim më të lartë”, tha pak ditë më parë Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku.

Për ta bërë më të qartë, abonentët familjarë që harxhojnë deri në 800 KWh do të vijojnë të paguajnë për dritat me çmim të reduktuar (9.5 lekë për Kwh) duke përfituar në të njëjtën kohë edhe kompensimin në vlerën e 648 lekëve në muaj. Ndërsa ata të cilët harxhojnë mbi këtë fashë, pra mbi 800 Kwh në muaj, çmimi do të jetë më i lartë. Por kjo vlen për diferencën, çka do të thotë se çdo kilovat mbi pragun e vendosur do të paguhet me çmim tregu dhe jo e gjithë sasia e energjisë së harxhuar.

Konkretisht, një familje që ka harxhuar 1000 kilovat në muaj, për 800 kilovatorë do të faturohet me çmim të reduktuar sa edhe është aktualisht, ndërsa për diferencën, që në këtë rast është 200 kilovatorë do të faturohet me çmim tregu. Por rikthimi i fashës, në gjykimin e ekspertëve, do të rrisë barrën financiare për familjet shqiptare, por kjo nuk do të thotë më patjetër edhe mbushje të arkës së shtetit, pasi me gjasë pritet të rrisë përpjekjet për abuzim dhe manipulim të matësve të energjisë.

KRIZA ENERGJETIKE

Kriza energjetike është kthyer në kryefjalën e ditëve të fundit dhe një shqetësim që i tejkalon kufijtë e një shteti. Kjo, për shkak edhe të konfliktit në Ukrainë dhe sanksioneve të vendosura nga Perëndimi ndaj Rusisë, të cilët kanë sjellë pothuajse 4-fishim të çmimeve aktuale në bursë. Pjesa dërrmuese e energjisë sigurohet në vend, nga burimet hidrike, ndërsa një pjesë importohet. Por referuar raportit të fundit të Instat, prodhimi i energjisë elektrike ka shënuar rënie në tremujorin e dytë të këtij viti, ndërsa është rritur ndjeshëm importi.

“Energjia elektrike në dispozicion u ul me 3,5 %. Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike në këtë periudhë u ul me 38,1 % duke arritur vlerën 1.647 Gwh nga 2.660 Gwh energji të prodhuar në tremujorin e dytë të vitit 2021. Importi bruto i energjisë elektrike (energji në marrje), në tremujorin e dytë të vitit 2022, arriti vlerën 664 Gwh nga 228 Gwh që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar kështu një rritje me 2,9 herë”.

Blerjet në tregun e liberalizuar, duke iu referuar të dhënave të bërë publike më herët nga Enti Rregullator i Energjisë i kushtuan kompanive publike 136 milionë euro, me një çmim mesatar prej 254 eurosh për Mwh, nga 30-100 euro që luhatej ky çmim para krizës. Por situata duket edhe më e zymtë nëse do të shohim çmimet aktuale në bursë të cilat kanë arritur një rekord të ri, 1047 euro për Mwh. Nga ana tjetër, problematike akoma njëherazi sfidë mbeten humbjet në rrjet (qofshin teknike ose jo teknike). Këto i shtojnë një barrë të rëndë buxhetit, përfshirë edhe menaxhimin e kompanisë së furnizimit me energji.

REFORMIMI I SKEMËS NË 2015-N

Pas reformimit të skemës në 2015-n, pensionistët dhe familjet në nevojë marrin 648 lekë çdo muaj kompensim për dritat. Qeveria vendosi asokohe të heqë fashën për konsum deri në 300 kilovat në muaj, duke ofruar në anën tjetër mbështetje financiare për këto kategori të cilat u prekën drejtpërsëdrejti nga rritja e çmimit. Janë rreth 45 milionë dollarë që dalin çdo vit për të përballuar efektet e kësaj skeme, nga të cilat rreth 15 milionë dollarë shkojnë për pensionistët. Por përveç pensionistëve, në skemë janë edhe 6 kategori të tjera sociale, përfshirë këtu familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, si edhe ato me të ardhura më pak se 35 mijë lekë në muaj. /A.Z.