Apolonia dhe Bylisi të preferuarit e vizitorëve. Jo vetëm me ngrohjen e motit, por thuaj në çdo stinë të vitit qendrat arkeologjike të qarkut të Fierit janë të lakmuara nga vizitorët vendas e të huaj. Investimi në infrastrukturën e rrugës që të çon drejt Apolonisë është një lehtësi për vizitorët e shumtë në këtë qytet antik qoftë nga Shqipëria, por edhe nga vendet e largëta
. Apolonia në Fier është një nga sitet më të mëdhenj të Shqipërisë, por edhe një nga qytetet më të mëdhenj në botën antike. Ajo është një nga vlerat e perlat e trashëgimisë tonë arkeologjike. Janë 36 Apoloni në pellgun e Mesdheut dhe Apolonia e Ilirisë është më e madhja. Apolonia është themeluar rreth fillimit të shek të VII para Krishtit. Gjurmët më të hershme i kemi prej fisit ilir të Taulantëve që jetonte në këto territore. Bashkëjetesa e këtyre të fundit me kolonët Korkyras solli themelimin e qytetit të Apolonisë në shekullin e VII p. Krishtit.
Me interes të madh për vizitorin në Apoloni janë monumenti i Agonotetëve, Odeoni, Biblioteka, muri rrethues, vila me impluvium, vila romake me mozaikë, muzeu arkeologjik, Kisha e Shën Mërisë. Po ashtu numri i vizitorëve në Parkun Kombëtar Arkeologjik Bylis është rritur gjatë periudhës janar-mars 2023, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në tremujorin e parë të këtij viti numri i vizitorëve vendas dhe të huaj ka qenë 723, ndërsa në tremujorin e parë të 2022-shit, Bylisi është vizituar nga 465 persona. Në tre muajt e parë të këtij viti Parku Arkeologjik Bylis është vizituar nga 258 persona më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2022. Nga statistikat, viti që ka patur më shumë turistë ka qënë 2019-ta, ku gjatë periudhës janar-mars qyteti antik është vizituar nga 900 persona. Të ardhurat më larta nga shitja e biletave për Parkun Kombëtar Arkeologjik Bylis janë shënuar në tremujorin e parë të vitit ku jemi aktualisht.
/Tv Kombi/