Ballina Bota Presidenti Zelensky vizitë zyrtare në Poloni, do takohet me homologun Andrzej Duda

    Presidenti Zelensky vizitë zyrtare në Poloni, do takohet me homologun Andrzej Duda

    1

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky do të vizitojë sot Poloninë. Lajmi u bë me dije të hënën (3 prill) nga këshilltari i Presidentit polak për punët e jashtme, Marcin Przydacz, i cili ka sqaruar se vizita e Zelenskyt në Poloni vjen me ftesë të Presidentit.

    Zelensky dhe homologu i tij, Andrzej Duda pritet të zhvillojnë bisedime të gjata, jo vetëm për luftën në Ukrainë dhe situatën e sigurisë, por edhe për mbështetjen ekonomike e politike.

    Po ashtu, gjatë kësaj vizite, Zelensky pritet që të takohet me polakët dhe ukrainasit që janë strehuar në Poloni në sheshin e Kalasë së Varshavës.

    Do të jetë një vizitë zyrtare. Vizita bëhet me ftesë të Presidentit (Andrzej) Duda. Do të ketë bisedime të gjata dhe të gjera, jo vetëm për situatën e sigurisë, por edhe për mbështetjen ekonomike dhe politike”, ka thënë Przydacz, raporton The Guardian.

    Takimi i fundit mes Zelenskyt dhe homologut të tij polak ishte në dhjetor të 2022-shit gjatë udhëtimit të tij në shtëpi nga Shtetet e Bashkuara.

    Polonia është fqinji i Ukrainës dhe të dy vendet kanë lidhje të thella historike. Shumë ukrainas u larguan nga vendi i tyre pas pushtimit të Rusisë vitin e kaluar, me një numër të madh që kërkonin siguri në Poloni.

    /rtsh.al/