Në zbatim të Planit të Masave ” Mbi garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë gjithë fazave të procesit zgjedhor për Bashkinë Lushnjë”, Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka marrë të gjitha masat e duhura dhe po i zbaton ato sipas procedurave standarte. Në Komisariatin e Policisë Lushnjë, në orën 11:00, u bë instruktazhi për punonjësit e Policisë që janë të angazhuar në ruajtjen e qendrave të votimit , të KZAZ-ve dhe VNV-ve. Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier Drejtues i Parë Alfred ÇEPE, porositi edhe njëherë të gjithë punonjësit e policisë që të tregojnë profesionalizëm dhe të kryejnë detyrat dhe përgjegjësitë në mënyrë të barabartë, me paanshmëri politike, vetëm në bazë dhe për zbatim të ligjit duke respektuar liritë dhe të drejtat themelore të njeriut.Gjithashtu të veprojnë vetëm dhe për zbatim të detyrave e përgjegjësive që atyre u takojnë si dhe të kenë parasysh procedurat që janë trajnuar në çdo situatë. Secili punonjës policie është trajnuar si dhe është pajisur me librin e xhepit kujtesë dhe me dokumentin identifikues sipas numrit kodik të punonjësve që do të angazhohen me shërbim gjatë procesit zgjedhor. Është ngritur Grupi i Drejtimit në Komisariatin e Policisë Lushnjë dhe Grupi i Koordinimit në Drejtori, për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor si dhe menaxhimin e çdo lloj situate bazuar në planin e veçantë të masave ” Për menaxhimin policor të situatave të papritura gjatë procesit zgjedhor” .
Grupi i punës ka krijuar hartën dixhitale, me emrat e punonjësve të policisë për çdo qendër votimi me përgjegjësit e tyre edhe numrat e telefonit. Kjo me qëllim që të kemi një komunikim real për çdo rast që punonjësit e policisë me shërbim do të kenë nevojë, t’i jepen orientime të shpejta që zgjidhjet të jenë vetëm në bazë dhe në zbatim të ligjit. Në territorin e Bashkisë Lushnjë janë 2 KZAZ, 2 VNV si dhe 157 QV.
Të gjitha objektet zgjedhore janë të mbuluara me punonjës Policie dhe marrja në ruajtje e tyre fillon në momentin e mbërritjes së materialeve zgjedhore.Për ruajtien e këtyre objekteve janë angazhuar 198 punonjës policie.Policia e Fierit siguron qytetarët se është e angazhuar maksimalisht për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë gjithë procesit zgjedhor, duke zbatuar ligjin dhe vetëm ligjin. Ftojmë qytetarët të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në nr 112 ose në Komisariatin Dixhital, duke ju garantuar anonimat dhe reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm