Ballina Vendi Përfituan “toka bujqësore” pa shpërblim, ngrihet Task- Forca për verifikimin e pasurive...

Përfituan “toka bujqësore” pa shpërblim, ngrihet Task- Forca për verifikimin e pasurive të paluajtshme

1

Të gjithë ata persona, të cilët kanë përfituar toka bujqësore në kushtet për kalimin në pronësi pa shpërblim të tyre, do të kalojnë në filtrin e Task-Forcës ndërinstitucionale e cila është ngritur të martën.

Kjo Task- Forcë do të shqyrtojë mënyrën e trajtimit të pasurive të paluajtshme “tokë bujqësore”, në përdorim të personave fizikë (individë) pa titull pronësie, të cilët i kanë përfituar ato në kushtet e nenit 12, të ligjit nr. 20/2020.

Po çfarë thotë neni 12?

Në bazë të nenit 12 kanë përfituar kalim në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore, subjektet që kanë plotësuar këto kushte:

a) Janë përfitues të tokës në pronësi ose përdorim, sipas akteve nënligjore që kanë rregulluar marrëdhëniet juridike të ndarjes apo dhënies në përdorim të tokës bujqësore të vitit 1991 e në vazhdim.

b) Subjekte përfituese janë edhe punonjësit e ish-ndërmarrjes bujqësore më 1.8.1991, gjendja civile e të cilëve u është transferuar në fshatin ku gjendet toka objekt i kalimit në pronësi, pas datës 1.8.1991, personat që nuk kanë qenë punonjës të ish-ndërmarrjeve bujqësore, por kanë qenë banorë të fshatit ku gjendet toka bujqësore, objekt i kalimit të pronësisë, sipas regjistrit të gjendjes civile më 1.8.1991, personat që u është hequr e drejta e pronësisë me krijimin e ish-kooperativave bujqësore apo ish-ndërmarrjeve bujqësore ose trashëgimtarët e tyre apo që nuk kanë përfituar tokë bujqësore në territorin e ndonjë ish-kooperative apo ish- ndërmarrjeje bujqësore tjetër.

“Përfitues janë edhe ata që deri në 6 muaj pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, kanë paraqitur kërkesë pranë njësive të vetëqeverisjes vendore për t`u pajisur me AMTP për tokat e ish-kooperativave bujqësore apo ish-ndërmarrjeve bujqësore, pavarësisht nëse janë pajisur ose jo me aktin e marrjes së tokës në përdorim, si dhe ata që janë përdorues faktikë të tokës bujqësore.”- thuhet në ligj.

“Toka që kalohet në pronësi, pa shpërblim, duhet të përmbushë, njëkohësisht, këto kushte:

a) t’i përkasë një prej zërave të tokës bujqësore;

b) të mos jetë pronë private e të tretëve;

c) të mos jetë objekt i formave të kompensimit fizik, sipas legjislacionit në fuqi për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave;

ç) të mos jetë zënë nga ndërtime pa leje të të tretëve apo të vetë subjektit kërkues;

d) të mos jetë objekt i investimeve strategjike, sipas legjislacionit në fuqi për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë.

Nëse ndalimet e listuara në këtë pikë janë të pranishme për një pjesë të sipërfaqes së tokës, kalimi i pronësisë, pa shpërblim, zbatohet vetëm për pjesën e mbetur.“- thuhet në nenin 12 të ligjit, të cilin do të verifikojë Task- Forca.

Qëllimet e Task-Forcës

Qëllimet e këtij vendimi dhe të veprimtarisë së Task-Forcës që krijohet nëpërmjet tij janë:

a) identifikimi i problematikave në lidhje me zbatueshmërinë e legjislacionit në fuqi për tokat bujqësore në përdorim, pa titull pronësie;

b) hartimi i planit të veprimit për trajtimin dhe zgjidhjen e problematikës;

c) koordinimi ndërmjet institucioneve qendrore, vendore, Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe përdoruesve faktikë të tokës bujqësore, në funksion të zgjidhjes përfundimtare të problematikave.

Task-Forca do të krijohet për njësi administrative territoriale të veçanta dhe përbërja e saj do të miratohet me urdhër të Kryeministrit.

Task-Forca drejtohet nga kryetari dhe ka në përbërje të saj deri në një përfaqësues të secilit prej institucioneve të mëposhtme:

a) Agjencia Shtetërore e Kadastrës;

b) Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural;

c) Ministria e Financave dhe Ekonomisë;

ç) Ministria e Drejtësisë;

d) Agjencia e Trajtimit të Pronës;

dh) Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor.

Kryetari i Task-Forcës do të përgjigjet para Kryeministrit për veprimtarinë e Task-Forcës dhe raporton në mënyrë periodike çdo muaj pranë tij.

Objekt i veprimtarisë së Task-Forcës

Objekt i veprimtarisë së Task-Forcës janë pasuritë e paluajtshme që plotësojnë këto kushte:

a) janë braktisur nga subjekti pretendues ligjor dhe nuk janë regjistruar pranë ASHK-së;

b) janë toka bujqësore (sipas zërave përkatës të saj);

c) nuk janë prona private të të tretëve;

ç) nuk janë objekt i formave të kompensimit fizik, sipas legjislacionit në fuqi për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave;

d) nuk janë zënë nga ndërtime pa leje të të tretëve apo të vetë subjektit kërkues;

dh) nuk janë objekt i investimeve strategjike, sipas legjislacionit në fuqi për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë;

e) nuk janë prona shtetërore të destinuara për qëllime turistike;

ë) nuk janë prona publike të patjetërsueshme;

f) nuk janë të zëna nga ndërtimet.

Detyrat e Task-Forcës janë:

a) të evidentojë sipërfaqet që gjenden në kushtet që nuk janë prona shtetërore të destinuara për qëllime turistike;

b) të identifikojë poseduesit faktikë që zotërojnë sipërfaqet në fjalë dhe të hartojë një listë të posaçme për nevoja pune, në dispozicion të ASHK-së;

c) të analizojë nëse rrethanat e këtyre rasteve, në tërësi, përmbajnë ose jo premisat për fitimin e pronësisë, sipas mënyrave origjinale të parashikuara në Kodin Civil apo mënyrave të tjera të posaçme, të parashikuara në ligje të veçanta;

ç) të bashkëpunojë me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, me qëllim finalizimin e proceseve, për kërkesat e dorëzuara pranë këtij institucioni (ASHK) prej organeve të njësive të vetëqeverisjes vendore;

d) të hartojë raporte periodike për problematikat e ndeshura, trajtimin e çështjes dhe identifikimin e zgjidhjes, në funksion të qëllimit të këtij vendimi;

dh) të bashkërendojë punën me institucionet e përfshira, në funksion të realizimit të detyrave;

e) të hartojë planin e veprimit për trajtimin dhe zgjidhjen e problematikës në lidhje me tokat bujqësore në përdorim të personave fizikë (individë) pa titull pronësie.

/rtsh.al/ a.meta/