Nënkomisarja e policisë së Elbasanit Anisa Kostani është pezulluar nga puna. Kostani, e cila është e njohur për shkak se bashkëjeton me një gjarpër, më herët ka shkruar e revoltuar dhe me gjuhe fyese ndaj gazetarëve që sipas saj po nxijnë punën e policisë në qytetin e Elbasanit.
Reagimi i Kostanit erdhi pas raportimit të mediave në lidhje me vrasjen e Madrit Ulqinakut në Elbasan nga 18-vjeçari Horgito Peqini. Ish-nënkomisarja shprehet se blutë e Elbasanit janë duke bërë një punë të shkëlqyer, të cilën vetëm “qorrat dhe ata që i kanë marrë provimet nga profesorë Don Zhuanë” nuk e shohin.
“Me keqardhje ndoqëm reagimin aspak etik dhe profesional të një oficereje të Policisë së Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, e cila nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ka fyer gazetarët, me pretendimin se gazetarët po përbaltin punën e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan. Përsa më sipër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka pezulluar menjëherë nga detyra oficeren e Policisë, Nënkomisare Anisa Kostani dhe ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për të nisur hetimin disiplinor ndaj kësaj oficereje, për shkelje të rëndë të Rregullores së Policisë së Shtetit, miratuar me VKM nr. 750 datë 16.09.2015, konkretisht të nenit 209, pika 1 “Shkelja e rëndë e atributeve/kompetencave të policisë pa ndonjë arsye bindëse, nuk i përmbush apo dështon në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive të caktuara, të cilat kanë shkaktuar pasoja të rënda në kryerjen e detyrave”. Sqarojmë opinionin publik se mendimet dhe opinionet personale të punonjësve të Policisë nuk përfaqësojnë në asnjë rrethanë, mendimet dhe opinionet e organizatës së Policisë së Shtetit, e cila ka një sektor të posaçëm, përmes të cilit komunikon zyrtarisht me median dhe publikun.”, thuhet në njoftim.