Ballina Lajme Social Pensionisti 73-vjeçar nga Fieri, prej 1998 ende nuk e ka braktisur profesionin...

Pensionisti 73-vjeçar nga Fieri, prej 1998 ende nuk e ka braktisur profesionin e avolzhimit

1

Kristaq Skënderi 73 vjeç nga qyteti i Fierit edhe pse sot është në pension vijon të punojë në avolzhimin e bobinave të elektromotorëve të difektuar.

Procesi i avolzhimit është një punë e veçantë por edhe e rrallë që kryhet në ditët e sotme.

73 vjeçari zëvendëson spiralet e bobinave të djegura të elektromotorëve të pompave të ujit dhe pajisjeve të tjera me fuqi të lartë.

Çdo mëngjes Kristaqin e gjen duke punuar në servisin e tij të krijuar enkas pranë banesës.

Ai tregon se kjo punë nuk është vetëm pasion por edhe për të sjellë të ardhura financiare.

Gjithçka nisi si nevojë pas viteve 1998 kur “Usta Kicua” si i flasin të gjithe u largua nga puna e shtetit në Institutin e Naftës.

“Fillova të punoja në avolzhimin e bobinave të elektromotorëve prej 98′ dhe duke vijuar edhe në ditet e sotme“, shprehet ai.

Për gati 25 vjet Usta Kicua ka kaluar në duar dhe ka futur në punë me qindra e mijëra elektromotore.

Ai ka treguar se ky zanat është falë dijeve që ka marrë në shkollën elektrike të perfunduar në vitin 1967.

Prej asaj kohe ai tregon se ka punuar për gati 31 vjet në Institutin e Naftës por me fillimet e demokracisë ngjarjet rrodhën ndryshe dhe sollën mbylljen e shumë sektorëve.

Ai tregon se edhe sot ky profesion është i rrallë pasi shumë elektromotorë zëvendësohen me të rinj por ata me fuqi të madhe motorike kushtojnë më shumë dhe ndaj klientët vijne dhe i riparojnë.

Usta Kristaqi ka thënë se është i kënaqur nga kjo punë dhe ja ka trashëguar edhe të birit.

/rtsh.al