Partia Demokratike e Rithemelimit, do të mbajë më 11 shkurt, ora 12:00 protestën për dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama.
Në një njoftim drejtuar Policisë mbi aktivitetin, PD parashikon se pjesëmarrja do të arrijë deri në 100 mijë protestues.
Protestuesit do të grumbullohen fillimisht në selinë e Partisë Demokratike, sheshin Nënë Tereza dhe sheshin Skënderbej për të vijuar më pas drejt Bulevardit Dëshmorët e Kombit. Ndërsa foltorja e PD do të vendoset përballë Kryeministrisë.
“Bazuar në ligjin 8773 datë 24.04.2021 “Për Tubimet”, Partia Demokratike e Shqipërisë do të organizojë në datë 11.02.2023, një tubim protestë në Tiranë për të kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit të Shqipërisë pasi ka vënë në rrezik pluralizmin, votën e lirë dhe demokracinë. Tubimi do të mbahet në bulevardin Dëshmorët e Kombit, duke filluar nga ora 12:00;
Pjesëmarrja do të variojë 80 mijë deri në 100 mijë protestues. Protestuesit do të grumbullohen në selinë e Partisë Demokratike, sheshin Nënë Tereza dhe sheshin Skënderbej dhe do të lëvizin në drejtim të Bulevardit Dëshmorët e Kombit,
⚫ Foltorja do të vendoset në Bulevard përballë Kryeministrisë. Personat që do të flasin në protestë do të jenë drejtues të Partisë Demokratike dhe përfaqësues të Shoqërisë Civile.
Grupi i personave ndihmës për mbarëvajtjen e tubimit do të jenë rreth 200 persona me moshë mbi 18 vjeç, të pajisur me shenjat dalluese, shirit i bardhe me mbishkrimin PMT. Person përgjegjës do të jetë z Ervin Minarolli, Sekretar Organizativ i Partisë Demokratike të Shqipërisë, cel 0672030212, adresa Selia e PDSH Bulevardi “Zhan D’Ark”, Nr. 11, Tirane. Sa më sipër, njoftimi i aktivitetit për dijeninë tuaj në kuadër të mbarëvajtjes së tubimit”, thuhet në njoftim.

/rtsh.al/