Ballina Lajme Patos/ Erozioni dëmton varret e vjetra, eshtrat dalin në sipërfaqe, reagon bashkia

Patos/ Erozioni dëmton varret e vjetra, eshtrat dalin në sipërfaqe, reagon bashkia

54

E ndërtuar para 200 vitesh Kisha e Dukasit në Patos, është drejt shembjes. Erozioni i tokës ka dëmtuar dhe varret e vjetra përreth kishës.

Siç shihet në pamje, eshtra dhe mbetje kockore kanë dalë në sipërfaqe.

 

Kjo situatë është tepër shqetësuese për banorët e fshatit Dukas-Breg.

Ata rrëfejnë, rrëshqitjet e tokës janë të njohura prej disa dekadash, ndërsa kanë kërkuar me insistim ndërhyrjen e bashkisë.

“Bashkia të marri masat e saj, t’i mbulojë, t’i vëri mur që të mos zbulohen, t’i rregullojë vendet, njerëzit e tyre kush i ka varrezat atje”,është shprehur një banor.

Kryetari i bashkisë së Patosit, Fation Duro, shprehet se në muajin shkurt do nisë puna për ndërtimin e një muri që do frenojë erozionin.

“Është një problem i trashëguar, e mira ishte që të zgjidhej brenda vitit 2023, por duke qenë se nuk ishte i parashikuar në buxhetin e vitit 2023, ne e parashikuam për vitin 2024. Aktualisht projekti për murin është drejt përfundimit dhe shumë shpejt do vazhdojnë procedurat për prokurimin për ndërtimin e një muri të ri që të bëjë të mundur edhe sigurimin e gjithë hapësirës që ndodhet atje dhe rregullimin e territorit”,- është shprehur Duro.

Kisha e Shën Mëhillit në Dukas ka shërbyer si objekt kulti nga 1800-ta deri në vitin 1967, kohë kur diktatura komuniste e ktheu në qendër kulture.

Përfaqësues të kishës Ortodokse në Fier, shprehen se pas viteve 1990 prona nuk i është kthyer kishës, por ka mbetur tokë shtet, ndaj dhe nuk kanë ndërhyrë për restaurimin e saj.

Ndërsa varreza publike e Dukasit, është zhvendosur prej vitesh në një tjetër vend.

Rreth kishës mbeten varret e vjetra, dëmtuar rëndë nga erozioni.