Java që vjen, pritet të jetë edhe java e shiut. Kështu bën të ditur Shërbimi Meteorologjik Ushtarak.
Parashikimi i motit për javën që vjen:
Edhe për javën që presim përpara vendi ynë do të vijojë të jetë nën ndikimin e kushteve atmosferike kryesisht të paqëndrueshme.
Në këtë mënyrë duke filluar që nga dita e Hënë e deri ditën e Enjte moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura por nuk do të mungojnë edhe alternimet e herëpashershme me kthjellime.
Përgjatë këtyre ditëve vranësirat kryesisht në orët e mesditës dhe ato të pasdites do të shoqërohen me reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët deri mesatar. Reshjet do të jenë në formën e shtrëngatave, por lokalisht ato do të jenë edhe në formën e stuhive dhe rrebesheve afatshkurtër shoqëruar me shkarkesa elektrike dhe breshër.
Duke filluar nga dita e Premte parashikohet një përmirësim gradual i kushteve atmosferike. Moti parashikohet kryesisht me kthjellime por përsëri vranësirat e mesditës dhe pasdites shoqëruar me reshje shiu të dobëta dhe lokale.