Qeveria vendosi të caktojë një pagë minimale jo më të ulët se 40 mijë lekë, duke realizuar objektivin që kishte caktuar për vitin e fundit të mandatit të saj. Rritja e disaherëshme e pagës minimale në dy vitet e fundit shkon në të njëjtën linjë me vendimin e pothuajse shumicës së vendeve të Bashkimit Europian.
Në vitin 2022, normat e inflacionit tronditën BE-në, duke arritur nivele të papara në katër dekadat e mëparshme. Familjet me të ardhura të ulëta po luftojnë për të përballuar krizën e kostos së jetesës. Pothuajse të gjitha vendet anëtare të BE-së kanë rritur pagën minimale në dy vitet e fundit, por rritja e inflacionit ka çuar në një rënie të pagave reale. Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (Organisation for Economic Co-operation and Development, OECD) bën thirrje për rishikime të rregullta, për të ruajtur standardin e jetesës së punëtorëve me pagë të ulët.
Kësaj thirrje i është përgjigjur dy herë në mënyrë të njëpasnjëshme edhe qeveria shqiptare. Rritja ka qënë në terma nominal, që do të thotë se inflacioni nuk merret parasysh.
Në BE, ndërmjet vitit 1997 dhe fundit të 2021, inflacioni më i lartë vjetor ishte vetëm 4.4%, Kjo rritje dramatike e inflacionit goditi në mënyrë jopërpjestimore familjet me të ardhura të ulëta. Që nga shtatori 2022, paga minimale reale, ose paga që reflekton ndikimin e inflacionit, ështe ulur në shumë vende të BE-së.
Pavarësisht rritjes së fundit, Shqipëria nuk ka asnjë ngjashmëri me pagat minimale në BE. Në vitin 2022, paga minimale bruto mujore në vendet anëtare të BE varionte nga 363 Euro në Bullgari, në 2,313 euro në Luksemburg. Gjashtë vende kanë pagë minimale mbi 1500 euro.
Një pagë minimale kombëtare ekziston në 21 nga 27 shtetet anëtare të BE-së. Në 13 nga 21 vendet e BE-së, paga minimale bruto mujore është nën 1000 euro. Në 10 prej tyre është më pak se 750 €.
Ndër vendet kandidate dhe kandidate potenciale, ajo varion nga 345 € në Shqipëri në 532 € në Mal të Zi. Ndryshimet në pagat minimale janë dukshëm më të vogla kur marrim parasysh vlerat në standardin e fuqisë blerëse.
Një raport i OECD-së i titulluar “Pagat minimale në kohë inflacioni në rritje” nënvizon se kriza e kostos së jetesës, i bën pagat minimale edhe më të rëndësishme për të mbrojtur standardin e jetesës së punëtorë me pagë të ulët.