Një shqiptar është vënë në pranga nga oficerët e policisë në Britani, pasi akuzohet se ka transportuar emigrantë të paligjshëm nga Belgjika drejt Mbretërisë së Bashkuar.
Mediat e huaja raportojnë se arrestimi i 44-vjeçarit shqiptar është bërë në zonën e quajtur Loughborough, Leicestershire.
Sakaq, oficeri i lartë i hetimeve Derek Evans tha se 44-vjeçari dyshohet se është pjesë e një grupi që transportonte emigrantë me gomone.
“Personi i arrestuar sot dyshohet për përfshirje në një komplot për të përdorur varka të vogla në një seri kontrabande njerëzish. Trajtimi i krimit të organizuar të imigracionit është një prioritet për NCA dhe hetimi ynë vazhdon”, tha ai.
Sipas akuzave, shqiptari ka organizuar një seri kalimesh kontrabandë me emigrantë të paligjshëm që prej vitit të kaluar.