Ballina Lajme Subashi: Piktori Gazmend Leka, si gjithmonë spikat në artin pamor shqiptar për...

Subashi: Piktori Gazmend Leka, si gjithmonë spikat në artin pamor shqiptar për mesazhin e përcjellë nëpërmjet veprave të tij. “Kaloi një grua” çelet në galerinë “Vilson Kilica në Fier”.

1

“Kaloi një grua” është cikli më i fundit i krijimtarisë së Gazmend Lekës që pa dritën e ekspozitës në galerinë “Vilson Kilica” në Fier”. E ndërtuar nga tablo në vaj e vizatime, kjo ekspozitë konfirmon një rrugëtim të piktorit Gazmend Leka nisur dekada më parë, piktorit që nuk i trembet ngjyrave të errëta, sepse ato janë në gjendje të lëshojnë përherë edhe më shumë dritë brenda tablove.

“Kaloi një grua” është ekspozita e radhës e piktorit Në skenën e artit në vendin tonë Gazmend Leka është një piktor i vlerësuar me krijimtarinë e tij, por kjo vijon dhe jashtë. E gjithë ekspozita ndërtohet nga imazhe interieri, jo shumë ndryshe nga formati klasik i krijimtarisë së Lekës, ku modelja e tij është ashtu, e zhveshur, e kolme dhe intriguese.

Në ceremoninë e çeljes së kësaj ekspozite ka qenë i pranishëm kryetari i bashkisë Armando Subashi i cili në një status të tij do të shkruante: “Piktori Gazmend Leka, si gjithmonë spikat në artin pamor shqiptar për mesazhin e përcjellë nëpërmjet veprave të tij. Bashkëbisedimi me të ishte një ekspoze që më nxiti të depërtoj në tematikën e fortë të veprave në “Kaloi një grua”, ekspozuar sot në shtëpinë më të dashur për artistët, Galerinë e Arteve “Vilson Kilica” Fier”.

E kuqja është konsideruar gjithnjë si ngjyra e pasionit, energjisë, rrezikut, aq sa edhe e erosit dhe sensualitetit. Në këtë cikël, e kuqja klasike i ka lënë vendin grive të errëta, okrave dhe të kafenjtave tokësore, ashtu si dhe linja klasike e femrës elegante, i ka lënë vendin modeleve të kolme, masive e gravitacionale.

Kjo ishte një zgjedhje e vetëdijshme, pasi përtej të gjithave, figura e femrës duhej të ishte e vërtetë ashtu si venuset primitive, me strukturë dhe peshë specifike, larg fetishit erotik bashkëkohor dhe notave sensuale. Ekspozita do të qëndrojë deri më datë 31 galerinë “Vilson Kilica”në Fier./Tv Kombi/