Ballina Bota OKB voton me 141 vota pro tërheqjes së Rusisë nga Ukraina! 7...

    OKB voton me 141 vota pro tërheqjes së Rusisë nga Ukraina! 7 kundër, India dhe Kina abstenojnë

    1

    Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka miratuar me shumicë dërrmuese rezolutën që dënon pushtimin e Rusisë dhe bën thirrje për tërheqjen e trupave nga Ukraina dhe ndalimin e luftimeve.

    Rezoluta u miratua me 141 vende që votuan pro, 32 abstenuan dhe shtatë votuan kundër, një rezultat i ngjashëm me rezolutat e mëparshme për Ukrainën.

    Kina, e cila ditët e fundit ka demonstruar solidaritetin e saj me Rusinë, abstenoi, ndërsa edhe India dhe Afrika e Jugut ishin gjithashtu mes 32 vendeve që abstenuan.

    Ministrat e Jashtëm dhe diplomatët nga më shumë se 75 vende, të cilët i’u drejtuan asamblesë gjatë dy ditëve të debatit, kërkuan mbështetje për rezolutën e cila mbështet integritetin territorial të Ukrainës. 

    Lufta, e cila filloi më 24 shkurt 2022, ka vrarë dhjetëra mijëra nga të dyja palët dhe ka shkatërruar qytete të tëra.

    Zëvendësambasadori i Venezuelës iu drejtua këshillit në emër të 16 vendeve që kanë votuar kundër ose kanë abstenuan në të pesë rezolutat e mëparshme për Ukrainën: Bjellorusia, Bolivia, Kamboxhia, Kina, Kuba, Eritrea, Guinea Ekuatoriale, Irani, Laosi, Mali, Nikaragua, Koreja e Veriut, Shën Vincenti, Siria, Venezuela dhe Zimbabve.

    Ndërsa vendet e tjera u përqendruan në veprimet e Rusisë, zëvendësambasadori Joaquín Pérez Ayestarán tha se të gjitha vendet pa përjashtim “duhet të respektojnë rreptësisht Kartën e Kombeve të Bashkuara”.

    Ai tha se vendet në grupin e tij ishin kundër asaj që ai e quajti veprim përçarës në Asamblenë e Përgjithshme dhe për mungesë “fryme kompromisi”.

    Në thirrjen e tij, ministri i Jashtëm polak Zbigniew Rau tha se ukrainasit meritojnë “jo vetëm dhembshurinë tonë, por edhe mbështetjen dhe solidaritetin tonë”.

    Asambleja e Përgjithshme është bërë organi më i rëndësishëm i OKB-së që merret me Ukrainën, sepse Këshilli i Sigurimit, i cili është i ngarkuar me ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, është i paralizuar nga fuqia e vetos së Rusisë. 

    Pesë rezolutat e mëparshme të asamblesë për Ukrainën nuk janë ligjërisht të detyrueshme, ndryshe nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit, por shërbejnë si një barometër i opinionit botëror. Rezoluta e 12 tetorit që dënonte “përpjekjen për aneksimin e paligjshëm” të katër rajoneve të Ukrainës nga Rusia, mori numrin e votave më të lartë nga pesë rezolutat: 143-5 dhe 35 abstenime. Apnews

    /rtsh.al/