Për shkak të mungesës së energjisë, një situatë e vështirë e cila vijon prej vitesh, ka bërë bashkë në një protestë banorët e Thethit me të rinj e turistë që ndodheshin në këtë zonë turistike. Pronarët e bujtinave kanë shprehur shqetësimin haptazi se nuk mund të zhvillosh turizëm me gjenerator, duke e cilësuar si një situatë absurde. Ndonëse kjo zonë ka numrin me të lartë të të apasionuarve pas turizmit malor, turistët lënë vlerësim negativ në sistemin e pronotimeve duke shfaqur si problematike mungesën e energjisë. Përpos shkëputjes, edhe kur energjia kthehet është tejet e dobët, duke dëmtuar dhe nxjerrë jashtë funksionit të gjitha pajisjet elektroshtëpiake.
Një grup të rinjsh nga Spanja të cilët kanë mbërritur në Theth, kërkojnë që të zgjidhet problemi me energjinë, pasi nuk arrijnë të karikojnë as celularët që të kenë mundësi të bëjnë foto si kujtim i një udhëtimi kaq të bukur. Ndonëse janë mrekulluar me parajësën natyrore, problem mbetet energjia.
“Ne jemi një grup nga Spanja. Unë dhe shokët e mi mbërritëm këtë mëngjes, por ishte shumë e vështirë, pasi mungesa e elektricitetit na la ne pritje. Kur erdhëm nuk mundëm të karikonim telefonat tonë, pyetëm mikpritësin dhe ai me tregoi për këtë situatë dhe mendoj se kjo gjë duhet zgjidhur pasi ky është një vend shume i bukur, natyra malet. Ne dëshirojmë të bëjmë fotografi që t’i kemi si kujtim dhe nuk mundemi prej situatës së energjisë, ndaj mendoj që duhet t’i jepet një zgjidhje”, tha Patricia Calvo, turiste spanjolle.
“Përshëndetje, ne na pëlqen shumë vendi por mungesa e energjisë na shkaktoi problem me telefonat, dhe për tu lidhur me recepsionistin e hotelit. Ndjej keqardhje që një zonë kaq e bukur nuk mund të shfrytëzohet në 100% e saj, ndaj duhet gjetur një zgjidhje që të shfrytëzohet kjo parajsë”.
Pavarësisht se Thethi prej vitesh ka tërhequr mijëra turistë, ende vuan nga një problem që duhej zgjidhur vite më parë.