Të gjithë ata që kanë një apartament, apo vilë dhe dëshirojnë ta japin atë online me qira për të huaj, do të duhet të paguajnë në motorin e regjistrimit Booking.com. Nuk ka asnjë detyrim për motorët e tjerë të regjistrimit.
“Nëse keni një regjistrim shqiptar të TVSH-së, por nuk na keni dhënë ende ID-në tuaj Tatimore Shqiptare (“NUIS”), një konfirmim që jeni regjistruar në TVSH, datën dhe një kopje të vërtetimit tuaj të regjistrimit të TVSH-së, ju lutemi bëni këtë deri 31 tetor 2023.,” kështu thuhet në shënimin që bën kompania në faqen e saj të internetit.
Kjo do të thotë se përveç se duhen të jenë me NIPT, subjektet shqiptare duhet të jenë të regjistruar, edhe për tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH).
Rregulli i mësipërm a do ta penalizojë biznesin e vogël në Shqipëri, i cili, deri në vitin 2029 paguan TVSH 0%, sipas paketës fiskale 2020?
Booking do të aplikojë një çmim sa një e pesta e pagesës që do të marrë nga klienti për shtëpinë apo vilën tuaj të dhënë me qira dhe këtë shumë do t’ia paguajë organeve tatimore shqiptare.
Kjo do të thotë që nuk mund të kërkoni shpenzimet e komisionit si shpenzime të zbritshme tatimore.
Për ta thënë më thjesht, të gjithë ju që regjistroni një shtëpi për ta dhënë me qira, faturën ndaj Booking do ta paguani 20% më shtrenjtë , sepse jeni me NIPT, por jeni PA TVSH .
Sakaq biznesi i madh, i regjistruar për TVSH do të paguaj 20% më lirë .
Sipas kreut të Shoqatës së Hoteleri Turizmit, pas një përpjekje të gjatë, është bërë i mundur formalizimi i tregut, kur apartamente e vila shiten çdo ditë në Booking e nuk paguhen taksa, duke konkurruar në mënyrë të pandershme në tregun e akomodimit.
Kjo do të shmangë dhe tatimin e dyfishtë që kompanitë detyroheshin të paguanin për shërbimin ndaj platformës Booking.com.
Tani formalizimi i tregut të apartamenteve dhe vilave do të realizohet nëpërmjet pajisjes së detyrueshme me certifikatë dhe NIPT.