Kreu i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, i ka bërë thirrje efektivit të policisë kufitare Erion Goxharaj të vetëdorëzohet, pasi ky i fundit plagosi me armë zjarri një 45-vjeçar sot në kryeqytet.
Në një deklaratë për mediat nga vendi i ngjarjes, Vocaj tha se ka komunikuar me efektivin e policisë dhe ai ndodhet në gjendje të rëndë psikologjike, ndërsa i plagosuri nuk ka rrezik për jetën. Ai tha efektivi nuk ka pasur qëllim ta vrasë 45-vjeçarin, pasi e ka qëlluar në këmbë, me shumë gjasa me armën e shërbimit edhe pse ishte jashtë orarit.
“Rreth orës 14:00, në rrugën “Tish Daija” shtetasi E.G punonjës policisë në strukturat për Migracionin në Tiranë ka plagosur një 45-vjeçar, i cili ndodhet në spital nën kujdesinë mjeteve. Policia po kryen veprimet e domosdoshme hetimore. Po punojmë për ta lokalizuar dhe kapur autorin e kësaj ngjarjeje.
Mundësia me e madhe është të ketë qëlluar me armën e shërbimit, por nuk mund ta themi në këto momente. Motivet janë të dobëta. Jemi duke zhvilluar hetime. Mund të themi se autori e ka qëlluar në pjesën e poshtme të trupit, gjë që nuk tregon se ka dashur ta vrasë. Jemi duke kryer hetimet. Besoj në orët e pasdites do të kemi një komunikatë të plotë për gjithë veprimet hetimore dhe motivet që kanë shtyrë në këtë ngjarje. Punonjësi i policisë ka qenë jashtë orarit të punës.
Kam komunikuar me efektivin është në gjendje të rënduar psikologjike, po e kontaktojmë që mos të kryejë ndonjë veprim tjetër ndaj vetes. Jemi duke shpenzuar energjitë që ta kapim. I bëjmë thirrje dhe nëpërmjet medias që të dorëzohet. Siç duket nga komunikimet me mjekët i plagosuri nuk është në rrezik ekstrem për jetën”, tha Vocaj.
Top Channel