kDjali që u bë aktor, aktori që u bë president, dhe presidenti që u bë ushtar…
Seriali komik “Shërbëtori i Popullit”, në të cilin ka luajtur presidenti ukrainas ka arritur kulmin e interesit për një gamë të rrjeteve globale që kanë nisur të blejnë të drejtat e transmetimit të tij.
Ish-aktori dhe komediani Volodymyr Zelensky, luajti rolin e Vasiliy Petrovich Goloborodko, një mësues shkolle të mesme, i shtyrë drejt Presidencës pasi videoja e një studenti ku ai denonconte korrupsionin në Ukrainë u bë virale.
Goloborodko, nga një mësues i thjeshtë, nisi të drejtojë vendin si President duke shmangur përfitimet e të qenit lider dhe duke e mbajtur jetën e tij në ritmet e normales. Këtë rol e luante pikërisht ai që sot është President, por që në mediat dhe raportet ndërkombëtare njihet më së shumti këto vite si president i vendit ku korrupsioni është galopant megjithë premtimet e tij për ta ulur.
Seriali që u bë hit
Në atë kohë, seriali televiziv u bë hit në Ukrainë. Ai u shfaq për tre sezone vjetore radhazi. Por tani që Zelensky u bë fytyra e kombit teksa u reziston sulmeve ruse, ky serial po arrin kulmin e suksesit.
Nicola Soderlund, partneri menaxhues i studios krijuese pronë e Zelensky, ka zbuluar se shitjet janë rritur në mënyrë të shpejtë në ditët e fundit. Ai e ka cilësuar interesimin për këtë serial si “të jashtëzakonshëm”.
“Është një serial mjaft i vjetër, por duke pasur parasysh rrethanat, është bërë shumë interesant për të gjithë”, ka thënë ai.
Seriali pritet të nisë të transmetohet të dielën nga Channel 4 në Mbretërinë e Bashkuar. Gjithashtu nuk do të mungojnë transmetimet nga rrjete të ndryshme televizive në shtete të tjera si, Greqi, Rumani, Bullgari, Moldavi, Estoni, Francë apo Finlandë.
Ndërkohë kujtojmë se Volodymyr Zelensky ka marrë vëmendjen e shumë njerëzve nga mbarë bota që nuk e njihnin para sulmit të Rusisë. Duke dashur të mësojnë më shumë për të kaluarën e tij si pjesë e botës së spektaklit, njerëzit i janë futur kërkimit në internet.
Një nga gjërat që kanë zbuluar rreth eksperiencave të tij të mëparshme është edhe pjesëmarrja e tij në sezonin e parë të “Dancing with the Stars” të Ukrainës.
Kreu i shtetit ukrainas mes të tjerash është edhe një kërcimtar shumë i mirë pasi ka fituar vendin e parë në këtë kompeticion.