Të jetosh me ankth kronik është një luftë e vazhdueshme e cila ndikon në çdo aspekt të jetës nga marrëdhëniet njerëzore e performanca e punës deri tek shëndeti fizik dhe ulja e imunitetit. Ai mund t’ju bëjë të ndiheni të frikësuar se diçka e keqe mund të ndodhë nga momenti në moment, si dhe të zhgënjyer se nuk po bëni mjaftueshëm. Nëse je duke përjetuar ankth të vazhdueshëm, është e rëndësishme të dish se nuk je vetëm. Këshilla jonë e parë dhe më e rëndësishmja është të kërkosh ndihmën e familjes dhe një terapisti profesionist, pasi lloje të ndryshme ankthi kanë problematikat e tyre specifike. Në vijim, dëshirojmë të ndajmë disa mënyra sesi mund ta përballoni vetëm:
Nis një aktivitet i cili ju jep kënaqësi
Psikologët tregojnë se aktivitete si sporti, pikturimi, kopshtaria, gatimi, të dëgjuarit muzikë dhe leximi ndihmojnë në uljen e simptomave të ankthit, pasi truri përqëndrohet që të krijojë dhe kështu mund të shpërqëndrohesh nga mendimet që ke në kokë. Të pasurit një hobi është një mënyrë e mirë për të qetësuar mendjen dhe lehtëson krizat e panikut. Ato të japin gjithashtu motivimin për t’u socializuar në rast se lloji i ankthit që keni është ai social. Nëse hobi yt i preferuar është të dëgjuarit muzikë, ne këshillojmë muzikën klasike, pasi është vërtetuar shkencërisht se ndihmon në relaksim dhe me problemet me gjumin. Nëse të pëlqejnë librat, akoma edhe më mirë. Ato ju heqin mendjen nga shqetësimet e përditshmërisë duke ju çuar në një botë tjetër. Për filmat, mund të themi se kanë pakashumë të njëjtin ndikim. Ne sugjerojmë që gjatë fazave jo të mira me ankthin, t’i kthehesh filmit tuaj të preferuar. Me të nuk do të kesh asnjëherë “supriza” dhe nuk do të provokojnë ndjesi negative.
Nda shqetësimet me miqtë dhe të afërmit
Biseda me një mik të mirë ose familjar mund të bëjë ndryshimin të madh. Të gjithë kemi nevojë për mbështjeje herë pas here. Ndaji me zë të lartë problemet dhe mënyrën sesi e sheh botën. Ndoshta do të çlirohesh pasi do të kuptosh se nuk je vetëm.
Adopto një katërputrosh
Qentë dhe macet janë zgjedhje të shkëlqyera pasi dhurojnë dashuri të pakushtëzuar. Studimet tregojnë se kur kaloni kohë me ta, tensioni dhe rrahjet e zemrës ulen. Gjithashtu frymëmarrja stabilizohet dhe muskujt relaksohen. Këto janë simptoma të përgjithshme të ankthit ndaj dhe është e rëndësishme të merrni në konsideratë adoptimin e një kafshe shtëpiake.
Ha shëndetshëm
Krijimi i një rutine të shëndetshme për trupin dhe mendjen ka efekte afatgjata në organizëm. Një dietë e ekuilibruar ku përfshihen perimet, frutat, orizi, patatet, peshku dhe mishi janë thelbësore për të ulur nivelet e ankthit. Shmangni konsumimin e tepruar të sheqerit dhe kafeinës pasi mund t’ju fusin në gjendje paniku.
Jepi vetes një përqafim
Mos e gjyko veten më ashpër seç duhet. Nëse ndjen se simptomat e ankthit po shtohen, thuaje frikën që ke me zë të lartë. Psikologët tregojnë se situatat duken më pak të frikshme pasi e ke thënë shqetësimin tënd.