Anxhela nuk di as shkrim, as këndim, por gjeti një mënyrë për të kontaktuar “Ka Një Mesazh Për Ty” dhe të rrëfejë historinë e saj. “E diela shqiptare” kësaj here është zhvendosur jashtë studios dhe ka shkuar drejt Teatrit të Operas dhe Baletit për ta takuar.
Me një qese në dorë, Ardit Gjebrea takon Anxhelën, e cila nis të tregojë se si është të mbijetosh çdo ditë me lëmoshën e njerëzve, duar që zgjaten për ca monedha apo për të rrëmuar në koshat e mbeturinave.
Ardit Gjebrea: Ti ke lindur në Korçë, apo jo? Sa fëmijë keni qenë në shtëpi?
Anxhela: Po. 8 fëmijë.
Ardit Gjebrea: Si ishte jeta jote?
Anxhela: Babi më ka vdekur kur isha 6-7 vjeçe. Mamaja detyrohej të shiste gjakun e trupit që na rriti ne 8 fëmijët, gjysmë kile gjak, dyzetmijë lekë.
Ardit Gjebrea: Të vjetra?
Anxhela: Po. Në momentin që ne u rritëm një çikë, dilnim, lypnim, lanim, pastronim.
Ardit Gjebrea: Në Korçë?
Anxhela: Po, në Korçë, në fëmijëri. Pastaj kur dilte zonja që i thoshte mamasë “hajde Moza të japësh gjak”, ne nuk arritëm ta linim më sepse arriti në një fazë ekstreme mamaja, sëmundjet filluan radhë ato gjëra.
Ardit Gjebrea: Ngaqë jepte gjak pa ndalur?
Anxhela: Po, një ditë po, një ditë jo. Pastaj u detyruam të çaja dru, ngjitesha në kat të pestë për dymijë lekë, i stivonim, që i jepnim një ndihmë nënës. Arrita në moshën 16-vjeçare, u martova që t’i jepja një ndihmë familjes.
Në moshën 18-vjeçare, Anxhela u bë nënë e një djali dhe më pas erdhën 4 fëmijë të tjerë, prej të cilëve vetëm një vajzë. Ndërkohë, jeta ishte edhe më e vështirë.
Anxhela: Burri ishte i sëmurë. Ka që në fëmijëri që vuan nga astma, qëkur ka lindur. Nga peshat e rënda iu shkëputën 4 rruaza të kurrizit dhe jam detyruar pastaj vetë burrë, vetë grua. Ata fëmijë donin të hanin, me të lypur, me plehra, me kanaçe, me të gjitha. I falënderoj të gjithë ata njerëz që kush ka pasur mundësi, me 50 lekë, me 100 lekë se për familjen time ishte shumë e madhe. Edhe për plehrat që gjeja e haja dhe akoma ashtu trajtohem përsëri.