Ballina Vendi Ndryshime rrënjësore në infrastrukturën e qytetit të Fierit nga qendra drejt periferisë,...

Ndryshime rrënjësore në infrastrukturën e qytetit të Fierit nga qendra drejt periferisë, duke i kthyer kështu freskinë e munguar prej vitesh.

3

 

 

Pas vitit 2015 në bashkinë e Fierit është shënuar epoka e ndryshimeve të mëdha në drejtim të infrastrukturës rrugore të qytetit të Fierit. Kanë qenë një numër aksesh të infrastrukturës së brendshme në gjendje tepër problematike duke filluar nga rruga “Ramiz Aranitasi”, “Jakov Mile”, “Jakov Xoxa”, “Andon Profka”, “Dervish Hekali”, Mujo Ulqinaku” apo pedonalja e vogël “Muharrem Agolli”.

 

Kjo gjendje e ardhur si pasojë e mungesës së investimeve nga qeverisjet demokratike, por edhe pamundësia financiare e pushtetit vendor duke i kthyer ato plotësisht në rrugë të degraduara me gropa me një ndriçim publik të 50 -60 viteve më parë, me trotuare të shqyera, të zaptuar nga ndërtimet pa leje, me kioska pa fund, me gjelbërim të copëtuar nga pesha e viteve, me fasada pallatesh të rrënuara të masakruara nga shtesa dhe lloj-lloj ndërtimesh dhe të gjitha këto krijonin pamjen e një qyteti që të ngjallte trishtim, që nuk të ofronte asnjë lloj krenarie dhe dashurie për fierakët.

 

Sot në të gjitha këto rrugë është investuar në kanalizime të reja të ujërave të bardha dhe të zeza, asfaltime të reja, trotuarë të rinj, të pajisur dhe me korsinë e biçikletave, pemë dhe minilulishte, ndriçim publik dekorativ, fasada pallatesh të rehabilituara, të çliruar nga çmenduritë e shtesave pa leje dhe trajtuar me ngjyra për t’i dhënë Fierit freskinë e munguar në vite. Investimet janë kryer në çdo lagje, në çdo rrugicë, në çdo shesh pallatesh deri në zonat më periferike të qytetit. Ne kemi një sërë projektesh të tjera që dhe me ndihmën e qeverisë do të bëhen realitet në të ardhmen. Ndërkohë që një mori investimesh janë paraparë për vitet në vazhdim.

 

Në bashkëpunim me qeverinë dhe me federatën shqiptare të futbollit shumë shpejt do të fillohet nga puna për projektimin dhe ndërtimin e stadiumit modern aq shumë i munguar për Fierin me dekada të tëra. Po përfundohet projekti i pallatit të sportit dhe do të shihet mundësia e financimit, punohet në rehabilitimin e rrugës “Kastriot Muço” me të njëjta standarde që janë vendosur me synim lidhjen e qendrës me spitalin “Memorial” rajonal. Është gati projekti dhe shumë shpejt do të fillojë nga puna për rrugën “Aulona” nga rrethrrotullimi i QTU-së deri tek hekurudha, do të fillohet rikonstruksioni i unazës lindore të qytetit me të gjitha parametrat e saj urbanë nga rrethrrotullimi i Sheqit e deri te rrethrrotullimi i QTU-së.

 

Është përfunduar projekti dhe është gati të bashkëfinancohet vazhdimi i unazës perëndimore të qytetit e cila ka ngelur përgjysmë që para shumë vitesh nga anekset e stadiumit dhe deri te rrethrrotullimi i Azotikut. Ndërkohë investimet realizohen me ritme të larta projektet e nisura duke vazhduar të quhet “Fieri, një kantier investimesh”.

/Tv Kombi/