Tashmë gjithçka është në normalitet edhe pse duke u nisur nga kërkesat e qytetarëve ka vend për përmirësim. Por problemi ka marrë zgjidhje dhe është krijuar një lehtësim i madh në drejtim të produkteve bujqësore dhe blegtorale në bashkinë e Fierit.
Tregtimi i produkteve bujqësore dhe blegtorale ishte një plagë e hapur për qytetin e Fierit, si për nga hapësira e mjerueshme, ashtu edhe kushtet jashtë çdo standardi të tregtimit të produkteve.
Pas vitesh të tëra lënie në harresë, më në fund u finalizua ndërtimi i tregut të ri të qytetit me mbi njëqind tezga për fermerët e Fierit dhe zonave rreth tij, të cilët më parë kishin zaptuar trotuaret dhe hapësirat publike.
Tregu i shitjes së produkteve bujqësore dhe blegtorale është një ndër investimet e rëndësishme jo vetëm për qytetin, por edhe për njësitë administrative të Fierit.
Ky investim pritet të jetë një nxitje për ekonominë e qytetit, sikundër do të rrisë standardet e shërbimit ndaj qytetarëve në kushte cilësore.
Projekti përfshiu rehabilitimin dhe rikualifikimin urban të hapësirës përreth tregut. Tregu i ri i fruta – perimeve, mund të cilësohet si njësia më bashkëkohorë e shitjes në Fier. Por bashkisë së Fierit i duhej të zgjidhte dhe problemin e tregtimit ambulant në rrugë dhe trotuare.
Tregu i lëvizshëm në Fier tashmë është shndërruar nga një risi e kundërshtuar në një praktikë ë lëvduar nga vetë qytetarët dhe tregtarët. Prej shumë vitesh banorët e Fierit përballeshin në trotuaret e tyre të cilët duhet të ishin të lira, me tezga, m kosha, me perime e fruta te shpërndara për t’u tregtuar.
Bashkia e Fierit përballej me zënien e trotuareve nga tregtarët ambulante, por edhe krijimin e një konfuzioni në lëvizjen e makinave. Jo pak herë punonjësve të policisë bashkiake iu është dashur të përballen me tregtaret e rrugës, por rezultatet ishin jo të kënaqshme.
Mungesa e hapësirave tregtuese në qytet e përballur me shtimin e kërkesave të tregtarëve për mundësi tregtimi solli si ide gjetjen e mundësive të reja tregtuese për frutat dhe perimet. Pas një studimi u bë e mundur evidentimi i shtatë zonave më të përshtatshme në qytetin e Fierit për tregtim, afërsi të qytetarëve në marrjen e shërbimeve, por edhe mos sjellje të pengesave të qarkullimit të mjeteve motorike.
E pritur me kundërshtime dhe me protesta, tashmë kjo ide jo vetëm që cilësohet si zgjidhje e drejtë nga tregtarët, por ka sjellë kënaqësi dhe të vetë banorët e zonave kur tregjet lëvizin sipas një grafike të caktuar javore. Tregu vazhdon funksionim e tij normal, por është shoqëruar dhe me një rritje të ndjeshme të tregtarëve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në këto tregje.
Cilido nga qytetarët mund të sjelli ndër mend që mungesa e tregut të bagëtive dhe shpesëve solli një paradoks në këtë drejtim. Qytetarët krijuan një treg mbi shinat e linjës hekurudhore, pikërisht mbi atë pjesë të rrugës që të çon nga Fieri në drejtim të Semanit.
Sapo tregtarët dëgjonin sirenën e trenit ata largoheshin për të ruajtur veten duke lënë mallin në tokë. Tregtimi i bagëtive dhe shpesëve kryhej ku të mundej. Por edhe për këtë problem u gjet zgjidhja. Në fshatin Kallm, jo shumë larg qytetit të Fierit, prej muajsh ushtron aktivitetin tregu rajonal i cili ofron si shërbimin e shitjes dhe atë të thertores.
Ky investim në vlerën e mbi 320 mijë euro shtrihet në 2470 metra katrorë dhe siguron kapacitetin për mbi tre mijë krerë bagëti dhe të imta. Tregu bashkiak me standarde optimale i gjësë së gjallë në fshatin Mbrostar është në shërbim të krejt zonës dhe një model që synohet të shtrihet hap pas hapi në zona të tjera të vendit. Drejtoria e veterinarisë pranë bashkisë së Fierit ushtron kontrolle të vazhdueshme në mjediset e këtij tregu në mënyrë të rregullt.
Por në raste të festave qofshin ato fetare, apo edhe të fundvitit kontrollet e kësaj drejtorie intensifikohen. Në këtë treg lejohet shitja e bagëtive që janë të pajisura me të gjithë dokumentacionin e nevojshme për të mbrojtur kështu shëndetin e konsumatorit.
Pajisja e fermerëve me certifikatën veterinare është një kërkesë e patjetërsueshme nga ana e këtij institucioni pasi në këtë treg nuk janë vetëm fermerët e zonës së Fierit që tregtojnë, por që nga Tirana, Berati, Lushnja e Mallakastra.
Përfundimi i unazës bujqësore të Myzeqesë e cila lidh njësitë administrative të bashkive Fier, Lushnjë dhe Roskovec rrit përfitime të ndjeshme për fermerët e kësaj zone dhe në këtë lloj tregu. Blegtorët e Fierit dhe Mallakastrës nuk do të jenë të detyruar të shkojnë në tregjet e Lushnjës dhe të Beratit, për të shitur bagëtitë apo prodhimet blegtorale, por ata kanë tregun e tyre mjaft funksionale./Tv Kombi