Ditët në vijim vendi ynë pritet të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme, ndaj tregohuni të kujdesshëm që çadrën ta keni gjithmonë me vete.
Duke filluar nga dita e nesërme, sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, moti parashikohet kryesisht i vranët. Nga orët e pasdites të ditës së Mërkurë deri në orët e mëngjesit të ditës së Enjte përgjatë ultësirës perëndimore priten reshje shiu me intensitet mesatar dhe të lartë. Lokalisht këto reshje do të jenë të rrëmbyeshme në formën e stuhive shoqëruar me shkarkesa elektrike dhe breshër. Në pjesët e tjera të vendit reshjet do të jenë me intensitet të ulët dhe mesatar.
Java mbyllet me ditën e premte, ndërsa moti parashikohet fillimisht me alternime kthjellimesh e vranësirash. Më pas pritet mot i vranët e reshje shiu të herëpashershme. Reshjet në zonën e veriut dhe qendër do të jenë me intensitet hera-herës deri të lartë në formën e shtrëngatave apo rrebesheve.
Vlen për tu theksuar gjithashtu se pritet luhatje e ndjeshme e temperaturave.