Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj shpjegoi në një intervistë për emisionin rtsh shpjegon prioritetet kryesore të buxhetit 2023.
Vendimi për të mos rritur çmimin e energjisë elektrikë përbën shtyllën kryesore të këtij buxheti në kohë krize, kur armiku kryesor është rritja e çmimeve në një inflacion të lartë.
“Do të vazhdojmë të mbështesim energjinë elektrike, që do të thotë se do të vazhdojmë të mbështesim të gjitha buxhetet e familjeve shqiptare”, tha ministrja Ibrahimaj.
Ajo pohon me siguri se inflacioni nuk do të arrijë me dy shifra, si në disa vende europiane dhe të rajonit, dhe se shtresat më në nevojë do të kenë mbrojtjen kryesore nga buxheti.
Pjesë nga intervista e Ministres së Financave në emisionin “Pa Censurë”
Elona Meço: Me buxhetin dhe me paketën fiskale 2023, familjet dhe bizneset do të kenë më shumë para në xhep apo më pak?
Delina Ibrahimaj: Ne po jetojmë një moment, i cili nuk jetohej prej vitesh, jo vetëm në ekonominë shqiptarë, por në të gjithë botën. Ishim mësuar në 15 vitet e fundit të kishim norma të ulëta inflacioni, pra rritje të ulët të çmimeve, norma të ulëta interesi, që do të thotë norma të ulëta te kredive për blerje banesash apo kredi konsumatore. Pra, ishim mësuar në një regjim, ku kostot e ardhura nga ekonomia ishin të ulëta. Këtë vit ndryshoi çdo gjë. Normat e inflacionit ndryshuan ndjeshëm që në fillim të vitit. Në shtator inflacioni arriti pikun më 8.1 përqind, normat e interedit janë rritur duke paraqitur një kosto të shtuar për familjet shqiptare këtë vit. Ne jemi kujdesur që familjet shqiptare që e kanë të pamundur këtë rritje të kostove, t’i subvencionojmë, që buxhetet e tyre të mos ndikohen nga këto çmime. Kemi nisur me energjinë elektrike, me vendimin për të mos e rritur atë. Pastaj me politika të përkohshme duke ndihmuar kategoritë që janë më në nevojë. Në vjeshtë ndërmorëm politikat e indeksimit të pensioneve, të rritjes së pagave, të rritjes së pagës minimale 2 herë brenda vitit. Paga minimale është rritur 2 herë më shumë se inflacioni mesatar.
Elona Meço: Por në buxhet mungon një paketë e mirëfilltë antikrizë. Pse keni marrë këtë vendim?
Delina Ibrahimaj: Do të vazhdojmë të mbështesim energjinë elektrike, që do të thotë se do të vazhdojmë të mbështesim të gjitha buxhetet e familjeve shqiptare.
Elona Meço: Nuk do të ketë rritje çmimi të energjisë?
Delina Ibrahimaj: Ne do të mundohemi që ta mbajmë të pandryshuar për të gjitha fashat, por do të shihet nga Ministria e Energjisë dhe ERE sipas kushteve. Në buxhetin e vitit të ardhshëm kemi parashikuar 100 milionë euro për të mbajtur të pandryshuar çmimin e energjisë elektrike. Janë dhe 80 milionë euro për mbështetjen e energjisë elektrike. Është një shifër e konsiderueshme për energjinë elektrike dhe nëse do të jetë e nevojshme, do të mundohemi që kjo kosto të mos përballohet nga pjesa më e madhe e familjeve shqiptare. Kosto e paketës sociale për vitin e ardhshëm është aty. Ne kemi ndërmarrë që këtë vit indeksimin e pensioneve 2 herë. Indeksimi i dytë prej 6% ka ndikim vitin e ardhshëm 82 miliardë lekë. Është parashikuar edhe bonusi në fund të vitit me 3.5 miliardë lekë. Parashikojmë një indeksim tjetër në bazë të ecurisë së inflacionit dhe të shohim si janë parashikimet për rritjen e çmimeve vitin e ardhshëm. Ne mendojmë të kemi një inflacion mesatar 3.6%. Ka pasiguri për këtë shifër, pasi ne nuk e dimë a do të përkeqësohet lufta apo jo. Me kushtet aktuale ne mendojmë se inflacioni do të nisë të bjerë.
Elona Meço: Nuk shkon më 2 shifra në asnjë rast?
Delina Ibrahimaj: Në parashikimet tona, të konsultuara edhe me FMN, inflacioni nuk shkon më 2 shifra vitin e ardhshëm.
Elona Meço: Si do ta përshkruani me një fjali buxhetin dhe paketën e propozuar në këtë kohë të mbizotëruar nga “inflacioni i luftës”?
Delina Ibrahimaj: Buxheti ka si objektiv primar mbrojtjen e energjisë elektrike dhe të shtresave në nevojë dhe konsolidimin e financave publike, që të kemi mundësi të përballojmë shpenzimet duke treguar kujdes dhe qendrueshmëri në afatmesme dhe afatgjatë.