Presidenti i Republikës Ilir Meta ka dalë mbrëmjen e sotme në konferencë për mediat për Ukrainën.
Ai dënoi sulmin rus mbi Ukrainë dhe shtoi se Shqipëria pozicionohet në krah të SHBA dhe BE në këtë situatë.
“Meta tha se Rusia duhet t’i kthehet sa më shpejt rrugës së dialogut.
Pas përshkallëzimit të situatës gjatë mëngjesit të sotëm, kur nisi agresioni ushtarak rus në Ukrainë, vendosa të thërras përsëri mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, për të bërë një rivlerësim të situatës që prej mbledhjes së fundit të 14 shkurtit 2022 mbi këtë temë.
Këshilli diskutoi mbi të gjitha masat që do të ndërmerren për të adresuar këtë situatë, në koordinim të plotë me aleatët dhe partnerët, si sa u përket angazhimeve tona ndërkombëtare, ashtu edhe në raport me sigurinë në vendin tonë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Me këtë rast, edhe një herë, dënoj me ashpërsinë më të madhe sulmin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës, shtet i pavarur dhe sovran.
Ky përshkallëzim i paprovokuar dhe i pajustifikueshëm përbën shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare, Kartës së OKB, Marrëveshjes së Minskut, Memorandumit të Budapestit, dhe minon sigurinë dhe paqen në mbarë Europën.
Si President i Republikës dhe në emër të popullit shqiptar, shpreh dhembjen e thellë për jetët e humbura gjatë këtij sulmi, dhe uroj shërim të shpejtë për të plagosurit. Në këto momente dramatike, shpreh gjithashtu solidaritetin e plotë me popullin e Ukrainës, dhe institucionet e saj demokratike.
Republika e Shqipërisë, si vend anëtar i NATO, dhe anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, u bashkohet thirrjeve të Aleancës dhe të bashkësisë ndërkombëtare drejtuar Rusisë për të braktisur menjëherë këtë rrugë të dhunës dhe agresionit, të respektojë të drejtën ndërkombëtare humanitare, dhe të kthehet në rrugën e dialogut.
Shqipëria qëndron në unison me NATO dhe BE, dhe do të zbatojë të gjitha angazhimet e mara në kuadër të politikës së jashtme dhe sigurisë së përbashkët.
Bashkë me Aleancën dhe Bashkimin Europian do të qëndrojmë të palëkundur në mbrojtje të vlerave të lirisë dhe demokracisë”, tha Meta.