Parlamenti ka votuar me 94 vota pro, 1 abstenim, asnjë kundër projektligjit për hapjen e plotë të dosjeve të Sigurimit të Shtetit. Në seancën plenare ishin të pranishëm 98 deputetë.
Votimit i parapriu një debat i gjatë, teksa mazhoranca nga propozimi fillestar për shfuqizimin e pikës 4 të nenit 29 të ligjit nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, pranoi dhe propozimin e grupit të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj për të drejtën e çdo qytetari për t’u njohur me dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe të kërkojë një kopje të tyre. Alibeaj e konsideroi draftin e dakordësuar si një hap historik për hapjen e plotë të dosjeve.
Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij para votimit ftoi edhe pjesën tjetër të deputetëve demokratë që të votojnë draftin për të bërë të mundur që edhe personalitetet e larta që kanë marrë një vërtetim për pastërtinë e figurës të mund të verifikohen sërish.
Sipas deputetit demokrat, Oerd Bylykbashi varianti i dakordësuar mes palëve në Kuvend nuk sjell asgjë të re pasi nuk bën lustracionin. I pranishëm në votim ishte dhe ish-kreu i PD Lulzim Basha.