Një marshim për vrasjen e Egli Progës do të mbahet këtë të hënë (19 gusht) në Tiranë, ndërsa policia ka marrë masa për mbarvajtje, duke bllokuar qarkullimin e automjeteve në disa rrugë.
Marshimi pritet të fillojë në orën 19:30, nga sheshi Skënderbej te Kryeministria, ndërsa për pasojë do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, segmenti i rrugës “Myslym Shyri” nga Gjykata e Lartë deri në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Policia apelon për të gjithë qytetarët që të shmangin lëvizjen në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugët “Ibrahim Rugova” dhe “Papa Gjon Pali” si rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit.
Egli Proga humbi jetën më 10 gusht në Pogradec, ndërsa si autor i dyshuar i ngjarjes është arrestuar Denis Meçe. Paraprakisht dyshohet se për motive të dobëta, jashtë ambienteve të një lokali, Meçe është ndeshur fizikisht me Porgën i cili gjatë përleshjes fizike është rrëzuar në tokë pa ndjenja dhe për pasojë ka ndërruar jetë.
Fillimisht u raportua si aksident ku Egli Porga pas konsumimit të një sasie të konsiderueshme alkooli ka rënë në trotuar dhe për pasojë ka humbur jetën, por Policia reagoi më pas duke hedhur poshtë këtë variant të ngjarjes.
Ka patur reagime të shumta, edhe për shkak të zbutjes së akuzës ndaj autorit të dyshuar, ndaj të cilit rëndon “vrasje nga pakujdesia”.
/rtsh.al/